KUPA BALLKANIKE E NGJITJES SPORTIVE, Durrës 2026 – PJESËMARRJE E GJERË NDËRKOMBËTARE

0

Në qytetin e Durrësit u zhvillua “Kupa Ballkanike e Ngjitjes Sportive”, një aktivitet që mblodhi sportistë nga 6 shtete të rajonit: Mali i Zi, Rumania, Kosova, Greqia, Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria.

Në garë morën pjesë mbi 75 sportistë të ndarë në tre kategori moshe: U11, U13 dhe U15, duke sjellë një konkurrencë të fortë dhe nivel të lartë sportiv.

Greqia u rendit si ekipi më i suksesshëm për nga numri i medaljeve të fituara. Në vend të dytë u rendit Rumania me dy medalje, ndërsa Maqedonia e Veriut siguroi një medalje.

Përfaqësuesja shqiptare ishte shumë pranë suksesit, ku sportisti Blin Morina do të siguronte medaljen e artë, por një gabim teknik ndikoi në rezultatin final.

Pavarësisht kësaj, organizatorët e vlerësuan këtë si garën e parë zyrtare të këtij sporti në Shqipëri, duke e konsideruar një hap të rëndësishëm për zhvillimin e ngjitjes sportive në vend.

Endri Hoxha, Zëvendës Ministër i Turizmit, Kulturës dhe Sportit:
“Ky sport tashmë nuk i shërben vetëm Durrësit, por të gjithë vendit. Ai mund të shfrytëzohet edhe në shkolla për nxënësit. Ministria e mbështet këtë disiplinë, e cila është pjesë e Lojërave Olimpike dhe ku Shqipëria synon pjesëmarrjen në Los Anxhelos. Ne kemi potenciale të mëdha dhe detyra jonë është që në çdo qytet dhe shkollë të kemi mure të tilla për ngjitje sportive.”

Gentian Kallmi, Zëvendëskryetar i Bashkisë Durrës:

“Ne e kemi kthyer këtë hapësirë në një qendër të zhvillimit sportiv. Investimi për murin e ngjitjes është një hap i rëndësishëm. Bashkia mbështet fuqishëm sportet, veçanërisht disiplinat e reja si ngjitja sportive.”

Artur Guni, President i Federatës Shqiptare të Alpinizmit dhe Ngjitjes Sportive:
“Kjo pjesëmarrje na jep optimizëm për zhvillimin e sportit dhe turizmit sportiv. Është shumë e rëndësishme të forcojmë frymën sportive dhe dashurinë për sportin tek të rinjtë. Kërkojmë më shumë mbështetje nga institucionet, në mënyrë që çdo qytet dhe shkollë të ketë infrastrukturë për këtë sport, i cili jep rezultate të shpejta dhe të dukshme.”

Në përmbyllje, Kupa Ballkanike e Ngjitjes Sportive në Durrës shënoi një moment të rëndësishëm për promovimin e këtij sporti në Shqipëri dhe rritjen e pjesëmarrjes së të rinjve në disiplinat sportive ndërkombëtare.