Kurti: Në fakultet për herë të parë erdha si gjimnazist, përmirësoja matematikën

0

  Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ishte i ftuar ditën e sotme në një seminar shkencor në Fakultetin e Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike në Kosovë ku ka treguar pak nga jeta e tij prej studenti.

Kurti tha se sot iu është rikthyer bankave të fakultetit ku ai studioi, që dikur ishte i njohur si Fakulteti i Elektroteknikës. Kurti në këtë seminar u shpreh nostalgjik për kohën e studimeve, duke treguar se për herë të parë në këtë fakultet shkoi si gjimnazist për të mësuar më mirë matematikën.

“Në Fakultetin e Elektroteknikës, siç është quajtur atëherë, kam ardhur shumë më herët se sa të bëhesha student, kam ardhë si gjimnazistë që të ushtrohem për matematikë, me detyra të vështira nga asistenti i lëndës së matematikës së asaj kohe, Astrit Bardhi që punonte me profesor Hamitin dhe na ushtronte për gara të asaj kohe”, tha Kurti në këtë seminar.

Kryeministri shtoi se për shkak të rrethanave të vitit 1991 ai ndërpreu studimet, por i vazhdoi 1 vit pas çlirimit nga burgu e 2 vite pas çlirimit të Kosovës pasi tha se bëhej nostalgjik për atë periudhë.

“Jam nostalgjik me siguri e në veçanti jam nostalgjik që e pashë se enterieri nuk kishte ndryshuar shumë. Pra, hapësira brenda objektit është po ajo e dikurshme, që në njërën anë ta bënë më të kollajshme nostalgjinë, por në anën tjetër edhe na thërret për përgjegjësi se në hapësirat e Universitetit tonë duhet të investojmë më shumë”, tha Kurti më tej.

Në 23 prill 2003, Albin Kurti u diplomua në Fakultetin e Elektroteknikës në Universitetin e Prishtinës, dega Telekomunikacion dhe Kompjuterikë. Fakulteti i Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike të Universitetit të Prishtinës mbajti seminarin e dytë shkencor.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu