Kushtetuesja shfuqizon nenin që kërkon leje për të protestuar

0

Me vendim të Gjykatës Kushtetuese, tashmë nuk duhet marrë leje te Policia e Shtetit për çdo protestë që zhvillohet. Vendimi ka ardhur pas kërkesës së Gjykatës së Apelit të Shkodrës e cila ka kërkuar shfuqizim të togfjalëshit “pa marrë më parë lejen nga organi kompetent sipas dispozitave të veçanta”. Pas këtij vendimi kuvendi duhet të plotësojë normën ligjore, ndërkohë që ndryshimi i ri do të hyjë në fuqi 6 muaj pas botimit në fletoren zyrtare.

VENDIMI

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë në datën 04.05.2021 mori në shqyrtim në seancë plenare, mbi bazë dokumentesh, çështjen me kërkues Gjykatën e Apelit Shkodër, me objekt: “Shfuqizimi i togfjalëshit “pa marrë më parë lejen nga organi kompetent sipas dispozitave të veçanta” në paragrafin e parë të nenit 262 të Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë, si i papajtueshëm me nenet 17, pika 1 dhe 47 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë”.

Në përfundim të shqyrtimit Gjykata Kushtetuese

VENDOSI:

1.Pranimin e kërkesës.
2. Shfuqizimin e shprehjes “pa marrë më parë lejen nga organi kompetent sipas dispozitave të veçanta” në paragrafin e  parë të nenit 262 të Kodit Penal.
3. Detyrimin e Kuvendit të plotësojë normën ligjore nga data e shpalljes së vendimit të Gjykatës Kushtetuese deri në hyrjen në fuqi të tij.
4. Ky vendim është përfundimtar dhe hyn në fuqi 6 muaj pas botimit në Fletoren Zyrtare.  
Vendimi përfundimtar do të shpallet i arsyetuar brenda afateve ligjore të parashikuara nga ligji nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu