Kushtetuta e shenjtë për Shqiptarinë që e kemi bashkë!

0

Nga Blerina Llalla

Teurati, Zeburi, Ungjilli dhe Kurani, libri i fundit hyjnor që në terma bashkëkohore kanë qenë ajo që sot e quajmë Kushtetutë, dhe sipas kohëve kur u shkruajtën synonin rregullimin dhe funksionimin e komuniteteve shoqërore duke iu referuar si një bazë ligjore.

Sot për të gjithë ata qytetarë të thjeshtë, njerëz me status të caktuar, dhe për ata besimtarë që vijojnë të lexojnë dhe t’i referohen këtyre ish-kushtetutave ,përbri kushtetutave shtetërore dua t’ju kujtoj, njëkohësisht t’ju pyes:

“Zoti thotë: “Duajeni të afërmin, miqtë dhe atdheun tuaj. Vetëm kështu do të keni mirësi. Dituria dhe informacioni janë çelësat e zhvillimit dhe progresit të një shoqërie.”

Sa shqiptarë deri më sot e kanë lexuar realisht Kushtetutën e Shtetit tonë përbri librave të tjerë?!
Vetëm kështu do të mund të kuptojmë ç’ka ndodh në politikë e shoqëri. Përpara se të argumentojmë nën ndikimi ideologjik partiak, para së të vjellim vrer ndaj njëri-tjetrit! Sa të informuar jemi realisht mbi rregullat dhe ligjet e vendit tonë?!
Si bëhet?! Vetëm duke lexuar qoftë dhe nga një ligj apo nen të Kushtetutës Shqiptare në të njejtën kohë që lexoni një sure apo ajetet kuranore ose psalmet biblike, ose një liber, por me të njejtin zell. Jo vetëm një ditë, një muaj, por mundësisht çdo ditë të vitit! Ështe e njëjta gjë në thelb! Prandaj në emër dhe të këtij muaji të shenjtë ,Pashkë dhe Ramazani, muaj agjërimi, reflektimi, vij me një thirrje të veçante ; përpos leximit të Kuranit t’ju sygjeroj në emër të dashurisë për vendin tonë, të lexoni dhe disa versete nga Kushtetuta Shqiptare çdo ditë, ligje e nene. Janë po aq hyjnore sa librat e shenjtë. Janë hyjnore për ekzistencën e kombit tonë dhe të mirën e shoqërisë tonë. Vetëm kështu do të keni bërë avancimin e duhur në emër të besimit në Zot, në emër të së ardhmes të femijëve dhe në emër të atdheut. Duke u informuar sa më shumë mbi bazën e ekzistencës tonë shoqërore, ligjore dhe shtetërore! Lexoni shqip! Duajeni Kushtetutën Shqiptare dhe mbrojeni po me aq fanatizëm sa mbroni Teuratin, Zeburin, Ungjillin dhe Kuranin! Atëherë do të keni bërë diçka vërtetë për të ardhmen tonë! Lutuni shqip! Interpretoni shqip në emër të Shqipërisë dhe të vetmes Kushtetutë Legjitime të vendit tonë! Kushtetuta Shqiptare!

Vërtetë feja është kulturë, dije dhe rregull! Por edhe Kushtetuta jonë mbi këto parime bazohet, dhe çdo besimtar shqiptar pa dallim feje duhet ta vlerësojë së bashku me kodet etike, morale dhe vlerat që kjo Kushtetutë synon të mbrojë!

Respektoni të shkuarën, por jetoni në kohë që të gëzoni të ardhmen! Duke respektuar vendin tonë, ligjet tona, keni respektuar ekzistencën tonë dhe për pasojë vetë Zotin që na krijoi!

Merreni si një shenjë të rëndesisë të veçantë në këtë muaj të shenjtë, kohë që kaluam Pashkë të Krishtera, presim ato Ortodokse, gjithashtu dhe muajin e madhëruar të Ramazanit, por që më e rendesishmja për ne është koha për Kushtetutën! Prill! Ky muaj duhet të na gjejë të bashkuar më shumë se kurrë për të vetmen arsye.

Vërtetë kemi Bajram e Pashkë, por Shqiptarinë e kemi bashkë!

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu