Mori dy plumba në bark e në këmbë, ky është Josif Kavaja që qëlloi me armë policinë. Çastet kur mbërrin i plagosur në spitalin e Elbasanit

0

Ky është Josif Kavaja i cili qëlloi me armë mbi policinë. Pas 12 orësh rrethim ai u neutralizua, por gjatë këmbimit të zjarrit me forcat Renea ka mbetur i plagosur në bark e në këmbë.
Në orët e para të mëngjesit ai ka mbërritur në spitalin kirurgjik të Elbasanit. 45-vjeçari u soll me një automjet tip “ Discovery” i shoqëruar bashkë me një patrullë policie. Në momentin e mbërritjes, një efektiv u bën thirrje patrullës që të largojnë mediat pasi do të nxjerrin të plagosurin nga automjeti, ndërkohë që kërkojnë me urgjencë mjekët.

“Shpejt…. shpejt hajde këtu, largo të gjithë mediat…. ku janë shërbimet, ku janë shërbimet”,- thërret efektivi i policisë.

Siç duket gjendja e Josif Kavajës është përkeqësuar për shkak se ka humbur mjaft gjak gjatë transportimit përmbi 2 orë e gjysmë nga fshati Seltë drejt Elbasanit.

Operacioni për kapjen e Josif Kavajës rinisi mëngjesin e sotëm, pasi ishte pezulluar një natë më parë për shkak të terrenit të vështirë dhe errësirës. Mësohet se autori ka qëlluar me armë edhe gjatë orës 02:00 të mëngjesit, jashtë perimetrit që ishte vendosur nga RENEA.

Shërbimet policore të RENEAS (sipas komunikimeve me Komandantin e Rena-s) kanë shkëmbyer zjarr me 45-vjeçarin. Mbas krehjes së perimetrit të afërt është gjetur një pushkë 10-she dhe një sëpatë si dhe njolla gjaku.

Burime zyrtare nga policia bëjnë me dije se në shtëpinë e tij janë gjetur 30 granata, eksploziv, një arkë me fishekë dhe një kallashnikov.

Konflikti mes 45-vjeçarit dhe Policisë nisi për shkak të kontrollit që forcat blu shkuan për të bërë në banesën e tij, pas raportimeve të fqinjëve se ai mbante armë pa leje në shtëpi.

Josif Kavaja, 45-vjeçari që qëlloi drejt policisë me kallashnikov një ditë më parë duke qëndruar për më shumë se 12 orë në arrati nuk ka pranuar të negociojë me familjarët e tij. Ka qenë vëllai i tij i cili i ka kërkuar të dorëzohet, por Kavaja ka refuzuar deri mëngjesin e sotëm.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu