LAJM I FUNDIT/ Dështon raundi i dytë i votimeve për President në Kosovë

0

Raundi i dytë i votimeve për zgjedhjen e Presidentit në Kuvendin e Kosovës ka dështuar pasi nuk është arritur sërish kuorumi i nevojshëm. Në kutinë e votimit u numëruan 79 fletëvotime, nga 80 që është kuorumi i nevojshëm.

Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, në përfundim të numërimit të fletëvotimeve njoftoi një pushim prej 30 minutash për t’u rikthyer sërish për raundin radhës.

Në raundin e tretë Presidenti mund të zgjidhet me një shumicë të thjeshtë prej 61 deputetësh.

Në Kuvendin e Kosovës aktualisht janë 82 deputetë nga VV, LDK, PDK, AAK dhe pakicat.

Kujtojmë se që prej 5 nëntorit, 2020, Kosova është me ushtrues detyre të presidentit, pasi Hashim Thaçi ka dhënë dorëheqje nga kjo pozitë, pas konfirmimit të aktakuzës për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit nga Dhomat e Specializuara në Hagë.

Në Kosovë zgjedhjet parlamentare janë mbajtur më 14 shkurt, dhe më 22 mars, 2021 u konstituua Kuvendi dhe po të njëjtën ditë u zgjodh edhe Qeveria e re e Kosovës në krye me Albin Kurtin e Lëvizjes Vetëvendosje. Qeveria e tij u mbështet nga 67 deputetë.

Për zgjedhjen e presidentit, në dy votimet e para nevojiten dy të tretat e votave e që i bie 80 vota të deputetëve.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu