Parlamenti i Holandës ka konfirmuar “JO-në” për Konferencën e Parë Ndërqeveritare me Shqipërinë.
Lajmin e ka bërë të ditur Raporteri për Shqipërinë në Parlamentin holandez Pieter Omtzigt.
Ai shkruan në Twitter se gjatë debatit në Parlamentin e Holandës, ministri i Jashtëm Blok theksoi se nuk janë kundër integrimit të Shqipërisë, por se vendi nuk është gati ende për organizimin e Konferencës së Parë Ndërqeveritare.
Gjithashtu, Omtzight shkruan se Blok u shpreh se Shqipëria nuk ka zgjidhur ende problemet me vendet vakante në Gjykatën e Lartë, çuarjen para drejtësisë të personave të inkriminuar në nivele të larta si edhe nuk ka përmbushur plotësisht Reformën Zgjedhore.
Lexo edhe: DOKUMENTI/ Holanda bllokon Shqipërinë për negociatat, dritë jeshile për Shkupin
“Sapo patëm një debat në parlamentin hollandez. Qeveria hollandeze, ministri Blok, deklaroi qartë se Shqipëria nuk i përmbush parakushtet për Konferencën e Parë Ndërqeveritare. Kjo do të thotë se ai nuk do të japë pëlqimin. Problemet e diskutuara përfshijnë vendet vakante në Gjykatën e Lartë, ndjekjen penale të krimit në nivelet e larta dhe reformën zgjedhore, veçanërisht pjesën e dytë të njëanshme të asaj ‘reforme”, shkruan Omtzigt në Twitter.