Lëvizje të reja në Policinë e Elbasanit/ Kryekomisar Elton Halili transferohet në Bulqizë, detyrën e tij në Librazhd e merr Nertila Meta

0

Në Drejtorinë Vendore të Policisë Elbasan janë bërë sërish ndryshime në nivel drejtuesish. Sipas burimeve të sigurta, Kryekomisar Elton Halili, i cili deri më tani mbante detyrën e Shefit të Komisariatit të Policisë Librazhd, është transferuar për të drejtuar Komisariatin e Policisë Bulqizë.

Në vend të tij, detyrën e Shefes së Komisariatit të Policisë Librazhd e merr Kryekomisare Nertila Meta, e cila më herët ka mbajtur pozicione të rëndësishme në strukturat e rendit dhe njihet për përvojën e saj në drejtim.

Këto lëvizje janë pjesë e një ristrukturimi të brendshëm në radhët e Policisë së Shtetit, që synon përforcimin e menaxhimit lokal dhe rritjen e efikasitetit në drejtimin e komisariateve në qarqe të ndryshme të vendit.

Ky është ndryshimi i radhës në organikën e Drejtorisë Vendore të Policisë Elbasan, e cila në muajt e fundit ka pësuar disa rotacione të brendshme në drejtim të komisariateve vartëse.

Burime brenda strukturave të rendit bëjnë me dije se ndryshimet janë pjesë e procesit periodik të lëvizjeve në kuadër të politikave të Policisë së Shtetit, që kanë si qëllim forcimin e drejtimit dhe garantimin e rendit e sigurisë publike në të gjithë territorin.

Elton Halili: nga Shef Komisariati Librazhd, transferohet Shef Komisariati në Bulqizë.
Nertila Meta: emërohet Shefe e Komisariatit të Policisë Librazhd.

Në pritje të konfirmimit zyrtar nga Policia e Shtetit, lëvizjet pritet të formalizohen me urdhra të rinj nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë në ditët në vijim.