Punimet në zonën “Arrat e Gurrës”, në Dragostunjë të Librazhdit, vijojnë pa ndërprerje edhe gjatë natës, në përpjekje për të stabilizuar situatën në aksin kombëtar Librazhd–Prrenjas, i bllokuar prej fundjavës së kaluar.
Sipas njoftimit zyrtar të Autoriteti Rrugor Shqiptar (ARRSH), ndërhyrja po përqendrohet në pastrimin e sipërfaqes së trupit të rrugës së rrëshqitur, si dhe në marrjen e kampionëve gjeologjikë, të cilët do të shërbejnë për vlerësimin e plotë teknik të zonës dhe hartimin e zgjidhjes përfundimtare.
Një nga fazat kyçe të operacionit është mbyllur: ka përfunduar devijimi i rrjedhës së lumit, një hap i konsideruar vendimtar për stabilizimin e terrenit dhe për vijimin e fazave të tjera të ndërhyrjes infrastrukturore.
Paralelisht, pritet të nisë ndërtimi i trupit të rrugës alternative, e cila do të shtrihet përgjatë trasenë së hekurudhës, menjëherë pas përfundimit të rishikimit të projektit në këtë segment problematik.
Në terren janë angazhuar 22 kamionë të tonazhit të rëndë, 7 ekskavatorë dhe dhjetëra specialistë, përfshirë gjeologë dhe projektues rrugësh. Punimet po kryhen me mjete të rënda dhe me personel të shtuar, duke respektuar standardet teknike dhe të sigurisë rrugore, me synim rikthimin e qarkullimit në kohën më të shpejtë të mundshme.
Aktualisht nuk ka ende një afat zyrtar për hapjen e plotë të segmentit, ndërsa ndërhyrjet në “Arrat e Gurrës” mbeten prioritare për garantimin e stabilitetit afatgjatë të këtij aksi jetik lidhës.





