Përgatiti Entela Duka/ Infoweb Media
Emergjencë mjedisore mund të konsiderohet gjendja në të cilën ndodhet lumi Shkumbin. Në pak kilometra të rrjedhës së tij nuk është e vështirë te dallosh grumbujt e mbeturinave buzë lumit, si dhe në përrenjtë që derdhen në Shkumbin.
Madje në disa zona të njohura historike që janë edhe destinacione turistike, ndotja është e padurueshme. Për ambjentalistin Ahmet Mehmetj nga ana e institucioneve nuk është marrë asnjë masë në këto 30-të vite qoftë për të instaluar një impjant për përpunimin e ujërave të zeza, por edhe për të ndalur hedhjen e plehrave urbane dhe industriale në shtatin e lumit.
Dhe në kushtet kur lumi Shkumbin cilësohet si një lum i sëmurë, të pretendosh për të shijuar bukuritë e tij apo të tërheqësh vizitorë është një luks i madh. Ambjentalisti pohon se ky lum rrezikon të vdesë.
Ndërkohë nga bashkia e Elbasanit, Inspektoriati i Mjedisit duket se është i pafuqishëm përballë kësaj situate ku përveç konstatimit dhe vendosjes se gjobave prej 20 mijë lekëshe nuk ka mundësi të bëjë gjë tjetër për të mbrojtur lumin Shkumbin.