ITALI- “PiazzaPulita’ ka realizuar një reportazh në Gjadër të Lezhës, aty ku pritet që të strehoen emigrantët që do vijnë nga Italia në vendin tonë.
Emisioni italian, ka në fokus atë që mendojnë qytetarët e Lezhës, kryebashkiakët, politikanët shqiptarë, sipërmarrësit italianë që jetojnë prej vitesh në vendin tonë. Sara Giudice po ashtu ka intervistuar edhe kryedemokratin Sali Berisha.
Salvador Kaçaj, ish-kryetari i komunës së Shëngjinit, ka dhënë komentin e tij për këtë marrëveshje:
“Këtë vit kemi pasur një boom turistësh. Ne nuk jemi budallenj, vizita e Melonit nuk ishte më kot këtë vit…Ejani t’ju tregoj se ku do qëndrojnë emigrantët që do vijnë në vendin tonë. Ata nuk janë refugjatët tanë, janë tuajt dhe të Europës. Këtu punojnë peshkatarët tanë, do ishte një katastrofë për ne. Duan vetëm të largojnë mbeturinat nga vendi i tyre. Ne nuk do ta pranojmë kurrë”
Një qytetare tha:
“Shqiptarët nuk janë racistë, por të varfër. Rama nuk gjen kohë për ne, për fëmijët që ikin nga Shqipëria, çfarë do bëjë nëse ata nuk largohen?”
Ndërsa kryedemokrati Berisha tha:
“Meloni erdhi në Shqipëri, u takua me Ramën. Këtu ishin të gjithë të lumtur për këtë vizitë, u përcoll si një gjest miqësie por në të vërtetë ishte diçka më shumë se aq. Rama ishte duke biseduar me Melonin për këtë marrëveshje. është një bllof. Nuk ka kaluar nga presidenti, gjë që bie ndesh me Kushtetutën. Kjo marrëveshje nuk është e mundur, është një bllof që Rama bën për të mbuluar krimet e tij. Kjo marrëveshje rrezikon të shkakojë krizë mes marrëdhënies së dy vendeve.”
Më pas, reportazhi vijon me deklaratat e italianëve që kanë investuar në vendin tonë.
Reportazhin mund ta ndiqni më poshtë ose në këtë LINK