ELBASAN- Një i paraburgosur në burgun e Peqinit dhe dy të rinj nga Cërriku akuzohen se përmes mashtrimit kanë arritur t’i marrin një shtetaseje çeke një shumë prej 28 mijë eurosh. Sipas informacionit të dhënë nga Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm në Sistemin e Burgjeve, të tre këta persona, mes tyre një 33-vjeçare, në bashkëpunim me njëri-tjetrin akuzohen se për 4 muaj kanë arritur që t’i marrin çekes, të identifikuar me inicialet V.R., 28 mijë euro, por nuk dihet se përse ia kanë kërkuar paratë dhe në ç’rrethana shtetësja çeke ia ka dhënë. Megjithatë në pranga kanë rënë 41-vjeçari M.B., dhe 35-vjeçari E.F, ndaj të cilëve është ekzekutuar masa e sigurisë, arrest me burg. Për 33-vjeçaren A.F, është vendosur masa “ndalim i daljes jashtë shteti”.
NJOFTIMI I PLOTË:
Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm në Sistemin e Burgjeve nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, ka ekzekutuar Urdhrin e ekzekutimit datë 10.06.2023, lëshuar në bazë të vendimit nr.386 datë 10.06.2023 dhënë nga Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për caktimin e masës shtrënguese “Arrest me burg” , në ngarkim të shtetasve;
1. M.B, lindur dhe banues në Cërrik i datëlindjes 18.01.1982, i akuzuar për veprën penale “Mashtrim” parashikuar nga neni 143 paragrafi 3 i Kodit Penal.
2. E.F, lindur dhe banues në Cërrik, i datëlidnjes 31.07.1988, i akuzuar për veprën penale “Mashtrim” parashikuar nga neni 143 paragrafi 3 i Kodit Penal, aktualisht i paraburgosur në IEVP Peqin për të njejtën vepër penale. Si dhe për caktimin e masës shtrënguese “ndalim i daljes jashtë shteti”, në ngarkim të shtetases;
3. A.F, lindur dhe banues në Cërrik, e datëlindjes 05.01.1990 akuzuar për veprën penale “Mashtrim” parashikuar nga neni 143 paragrafi 3 i Kodit Penal
Nga veprimet procedurale të kryera nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, në bazë të materialit kallëzues të shtetases Çeke V.R të dërguar nga SHKBB, ka regjistruar procedimin penal nr.630 viti 2023, pasi shtetasit e mësipërm nëpërmjet mashtrimit në bashkëpunim me njëri tjetrin i kanë marrë shumën prej 28.000 eurosh të copëzuar në intervalin kohor prej 4-muajsh. Nga veprimet e shpejta hetimore dhe të dokumentuara në kohën e momentin e duhur nga ana e Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm në Sistemin e Burgjeve është bërë e mundur sekuestrimi i shumës 13.540 euro CASH.
Materialet i kaluan për veprime të mëtejshme Prokurorisë pranë Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan.