Mbërrijnë në atdhe eshtrat e Qazim Mulletit pas 67 vitesh, në Portin e Durrësit e presin familja dhe figura të njohura

0

Eshtrat e Qazim Mulletit janë kthyer në atdhe 67 vjet pas vdekjesh. Sot në portin e Durrësit mbërritën eshtrat e ish-prefektit dhe kryetarit të bashkisë së Tiranës gjatë Luftës së Dytë Botërore. Qazim Mulleti u largua nga Shqipëria sapo mbaroi lufta, me ardhjen e Partisë Komuniste në pushtet.

Ai u largua drejt Italisë ku ndërroi jetë në vitin 1956 në Romë. Ish-prefekti la në atdhe gruan dhe fëmijën e tij që pësuan një kalvar vuajtjesh nga regjimi komunist.

Gjatë diktaturës për Qazim Mulletin u krijua edhe një komedi satirike prej Besim Levonjës me titull “Prefekti”. Komedia ironizonte figurën e Mulletit dhe e propagandonte si një figurë të keqe anakronike.

Megjithatë ish-prefekti mbetet një figurë komplekse, pasi më përpara luftës ka qenë kundërshtar me mbretin Zog. Prej kësaj u detyrua të jetonte jashtë Shqipërisë në Austri, Vjenë. Kishte lidhje edhe me figura të tjera si Fan Noli. Me largimin e mbretit Zog nga Shqipëria ai u kthye në atdhe ku mbajti postin e kryetarit të bashkisë së Kryeqytetit dhe atë të prefektit.

Përpjekjet për kthimin e eshtrave të Qazim Mulletit nisën që me fillimin e viteve 90 dhe me ardhjen e demokracisë nga pasardhës të familjes. Tani pas kaq kohe u bë e mundur ardhja e eshtrave të tij në atdhe.

Në portin e Durrësit kanë qenë disa figura që e pritën përveç familjarëve. Ka qenë kreu i shoqatës “Tirana” Arben Tafaj, juristi Shkëlqim Hajdari dhe ish-prefekti i Tiranës Sadi Vorpsi. Ceremonia e rivarrimit të tij do të mbahet me 28 gusht në varrezat e Shish-Tufinës.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu