Mbeti i plagosur në sherrin ku vdiq Martin Cani/ Spitali i Traumës: Gjendja e 14-vjeçarit paraqitet e mirë

0

TIRANË- Spitali i Traumës ku po trajtohet shoku i Martin Canit, Luis Meçe ka dhënë informacione të reja lidhur me gjendjen shëndetësore të 14-vjeçarit.  Në njoftimin e tyre, thuhet se pas stabilizimit të gjendjes fillestare, i mituri është shtruar për të vazhduar trajtimin në pavionin e Kirurgjisë së Përgjithshme. Po ashtu bëhet me dije se Luisi ka marrë edhe mbështetje psikologjike nga psikologët.  Më tej thuhet se gjendja e 14-vjeçarit paraqitet e mirë dhe deri tani nuk ka pasur asnjë komplikacion që të kërkojë ndihmë jashtë mundësive të ofruara nga Spitali Universitar i Traumës.

NJOFTIMI I PLOTË:

Informacion për interesin publik, nisur nga aludimet për mungesën e shërbimit ndaj pacientit 14 vjeçar i plagosur pranë Shkollës “Fan Noli”:

Në lidhje me rastin e pacientit 14- vjeçar i cili ka mbërritur në Spitalin Universitar të Traumës më 18 nëntor, dëshirojmë të bëjmë me dije se ekipi mjekësor i Pranim Urgjencës i ka dhënë pacientit shërbimin mjekësor të nevojshëm dhe pas stabilizimit të gjendjes fillestare ai është shtruar për të vazhduar trajtimin në pavionin e Kirurgjisë së Përgjithshme.

Përveç kujdesit mjekësor intensiv, pacienti ka marrë edhe mbështetje psikologjike nga psikologët. Gjatë qëndrimit në spital, ndaj 14- vjeçarit janë ndjekur të gjitha protokollet mjekësore për trajtimin fizik dhe psikologjik, dhe gjendja e tij është përmirësuar ndjeshëm.

Në momentin që ka qenë i nevojshëm dhe i mundur, pacienti ka filluar trajtimin fizioterapik, i cili është në vijim dhe ka dhënë rezultate pozitive. Aktualisht, gjendja e pacientit paraqitet e mirë dhe deri tani nuk ka pasur asnjë komplikacion që të kërkojë ndihmë jashtë mundësive të ofruara nga Spitali Universitar i Traumës.

Mirënjohje për ekipin mjekësor dhe të gjithë specialistët që po ndihmojnë në përmirësimin e gjendjes së pacientit dhe sigurojmë publikun që Spitali Universitar i Traumës vazhdon të ofrojë kujdes mjekësor të specializuar dhe gjithëpërfshirës për të gjithë pacientët.

14-vjeçari i cili mbeti i plagosur në sherrin me thikë ku vdiq shoku i tij i ngushtë Martin Cani ka bërë po ashtu sot apel për ndihmë. Luis Meçja, ka hapur një faqe GoFundMe ku kërkon ndihmë financiare, pasi nuk përballon dot shpenzimet financiare për t’u kuruar. I mituri në mesazhin e tij shkruan se ka marrë katër goditje me thikë në stomak, shpinë dhe në mushkëri. Gjithashtu Meçja shprehet se ka një javë në spital, por prindërit e tij janë të varfër dhe nuk paguajnë dot spitalin, psikologun, fizioterapistin.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu