Elbasani dhe Partizani kanë ndarë pikët në ndeshjen që mbylli fazën e parë të Superiores falë një barazimi 1-1 në “Elbasan Arena”. Një barazim që do të shoqërohet padyshim me polemika, pasi u mbyll mes protestës së tifozëve vendas për vendimet e gjyqtarit Lata.
Të kuqtë festuan në minutën e 23-të, teksa Zeka goditi saktë nga brenda zonës, duke mposhtur portierin kundërshtar.
Skuadra nga Elbasani rriti presionin dhe vendosi ekuilibrat me Ze Gomes, me këtë të fundit që u hodh mbi të gjithë, për të realizuar me kokë.
Ekipi kryeqytetas e nisi mirë pjesën e dytë. Cara tentoi në minutën e 55-të, por pa rezultat.Pak më vonë, Rrapaj bëri gjithçka vetë, por në fund nuk u koordinua si duhet.
Elbasani shënoi gol në minutën e 90-të me Lleshin, por u anulua për faull në sulm.
Me këtë rezultat, Partizani kryeson kampionatin pas 9 javësh me 16 pikë të grumbulluara. Ndeshja e radhës është ajo ndaj Vllaznisë në transfertë.
Në krahun tjetër, Elbasani mban vendin e katërt me 14 pikë dhe do përballet me Skënderbeun.