TIRANË – E motra e Asim Gjonit, 41-vjeçarit që u vra me thikë nga babi i tij Hekuran Gjoni ka treguar detaje tronditëse mbi ngjarjen. Familjarë të tjerë të familjes Gjoni ngritën akuza se motra kishte qënë shkaku i sherrit që më pas agravoi në përdorimin e armëve të ftohta.
Por sot ajo hedh poshtë këto pretendime. Në një rrëfim për emisionin “Me zemër të hapur”, nga ambjentet e spitalit motra e Asim Gjonit shprehet se asnjëherë nuk ka qene ajo si shkak por familja e babait dhe vëllait ka qene përherë ne konflikt.
Ajo thotë se vëllezërit e saj ishin të gjithë të alkoolizuar madje njëri prej tyre e dhunonte. Ajo tregon se është e martuar dhe jeton në Gjermani dhe se nuk ka qënë ajo shkaku përse babë e bir janë zënë. Ajo thotë se pasuria gjithmonë ka qënë një temë konflikti në familje.
“As nuk më kanë shkruar as nuk më kanë pyetur se si jam . As mamaja nuk më ka marrë në telefon. Askush nuk vjen, unë nuk u kam bërë asgjë. Më ka thyer 3 apo 4 brinjë im vëlla, brinjë në kafaz të mushkërisë. Unë jam e martuar dhe jetoj në Gjermani. Kurrë nuk kam ndenjur tek babai. Por kësaj radhe im atë më tha mos paguaj qera eja jeto tek unë. U ktheva nga Gjermania pasi u mërzita atje pa punë. Vëllai im është ndarë nga babai dhe jetonte në shtëpi veç që kur u martua. Shkonte në shtëpinë e tim eti vetëm për t’i ngacmuar. Atë ditë babi kishte pirë pak sepse ishte gëzuar, më parë kishin një sahat dritash katër familje.
Mua nuk më ka interesuar kurrë pasuria e tim ati. Dokumentet babai ua ka marrë vëllezërve vetëm sepse donte t’u ndanin sahatët. Unë nuk dua të flas shumë sepse edhe jeta ime rrezikohet. Në mos një herë një herë një vrasje aty do të bëhej, kurrë nuk kishin komunikim sepse problem ka qenë pasuria. Shtëpinë e ndërtoi babai ndërsa ata sillnin paratë nga emigrimi. Edhe ne motrat kemi kontribuar të gjitha. Pasuria është ndarë dhe shtëpia, kati i parë me dokumente është i Asimit. Mesa di unë sepse kurrë nuk më ka interesuar pasuria e babait. Vëllezërit e mi pinin shumë të gjithë”, tha ajo.