Mesazh terrori për bandat rivale, vrasësit lënë koka të varura në urë

0

Gangsterët e trafikut të drogave në Meksikë i janë rikthyer taktikave brutale të varjes së viktimave të tyre në ura, si mesazh terrori për bandat rivale.

Duke lënë një kokë të prerë të varur në urë në Tijuana, vrasësit paralajmëronin se e njëjta gjë do t’i ndodhë “njerëzve të pisët”, duke iu referuar kartelit më të fuqishëm të drogave në Meksikë, “Jalisco New Generation”.

Policia vendase bëri zbulimin e vrazhdë në zonën Sanchez Taboada në Tijuana, ku koka e futur në një qese plastike ishte varur me një litar, teksa brenda kishte një mesazh nga karteli Arellano-Félix, njoftonte rrjeti vendas Zeta Tijuana.

Mesazhi i tyre drejtohej për kartelin Tijuana New Generation, i cili ka hyrë në aleancë me banden famëkeqe Jalisco New Generation që prej vitit 2016.

Banda ka nisur kohët e fundit zgjerimin me anë të dhunës ekstreme, për konsolidimin e rrugëve të trafikut të drogave drejt SHBA.

Zhvillimi vjen disa muaj para se krye-trafikanti Eduardo Arellano Félix pritet të lirohet nga burgu.

Ky i fundit njihet ndryshe si “El Doctor,” dhe ka pranuar krimet e trafikut dhe pastrimit të parave të drogave.

Arellano Félix është i fundit aktiv nga tre vëllezërit trafikantë, një i vrarë e një tjetër i plagosur, për të cilët prokurorja amerikane Laura Duffy thotë se kanë terrorizuar “kufijtë jugperëndimorë të SHBA, duke urdhëruar vrasje e duke korruptuar zyrtarë të panumërt amerikanë e meksikanë”.

Pas kapjes së tyre, karteli i El Chapo-s, Sinaloa, arriti të fitonte territorin e lënë bosh.

Por prej atëherë është “Jalisco New Generation” që ka dalë si forca më e madhe kriminale në Meksikë, e drejtuar nga  Nemesio “El Mencho” Oseguera Cervantes. Dikur aleat i El Chapo, ai me kartelin e tij tani besohet se operojnë në 35 shtete meksikane dhe Puerto Rico.

Autoritetet e SHBA thonë se kjo bandë kontrollon një të tretën e drogave që hyjnë në Amerikë.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu