Meta reagon pas ngjarjes së Ramës me gazetaren

0

Presidenti i Republikës, Ilir Meta ka reaguar pas ngjarjes së sotme ku kryeministri Edi Rama i kërkoi një gazetareje që të shkonte të merrte maskën, por duke qenë se në fillim ajo hezitoi, ai e shtyu dhe e largoi.

Meta thotë se kjo është e papranueshme dhe e patolerueshme, nuk është pjesë e e tikës institucionale dhe aq më tepër kur e bën kryeministri i vendit.

Kreu i Shtetit përmes një shënimi në rrjete sociale i bën thirrje medias dhe gjithë gazetarëve që të vijojnë misionin e tyre dhe të mos tremben nga pushteti apo kërcënimet.

Shënimi i Metës

Dënoj me ashpërsi dhunën e papranueshme fizike të ushtruar sot nga Kryeministri ende në detyrë ndaj gazetares së nderuar të televizionit “Fax News”, znj.Edona Haklaj.

Përdorja e forcës mbi një reportere në krye të detyrës, mbi të gjitha një vajze të re, me pretekstin e mosmbajtjes së maskës antiCOVID, është e papranueshme për traditën shqiptare, moralin njerëzor, për çdo shoqëri demokratike dhe etikën institucionale, për më tepër kur akti i dhunës ushtrohet publikisht nga kryetari i Këshillit të Ministrave.

Ky sulm i dënueshëm, që vjen pak ditë pas linçimit publik të znj.Grida Duma, është vijim i revanshit të rrugaçërisë, dhunës, presionit, shantazhit e bullizmit konstant, që prej vitesh ushtrohet ndaj gazetarëve dhe mediave të pavarura në vend, por dhe ndaj femrave e grave shqiptare, që në të kaluarën e kanë denoncuar dhunën ndaj tyre të këtij individi.

Duke theksuar se liria e medias është kusht i pazëvendësueshëm për garantimin e të drejtave të njeriut në një shoqëri demokratike dhe çeljen e negociatave me Bashkimin Europian, u bëj thirrje shoqatave të gazetarëve brenda e jashtë vendit, si dhe atyre për mbrojtjen e të drejtave të grave, të reagojnë fuqimisht edhe ndaj këtij rasti të përsëritur.

Shpreh solidaritetin tim të plotë me gazetaren Edona Haklaj, dhe të gjithë kolegët e saj të pavarur e kurajozë, të cilët i inkurajoj për të vijuar pa u trembur, misionin fisnik të informimit publik.

Zero tolerancë për dhunën, kanosjet dhe kërcënimet ndaj medias duke përdorur si pretekst pandeminë!

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu