Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi ka inspektuar këtë të hënë, më 18 maj, punimet për ujësjellësin e qytetit të Elbasanit.
“Këtu jemi në një investim në kuadër të një financimi nga Banka Gjermane, përsa i përket qytetit të Elbasanit, dhe disa depove që po bëhen këtu dhe një pjesë e tyre ka përfunduar tashmë.”, tha ministri Karakaçi.
Ky investim prej 13 milionë eurosh, mbulon furnizimin me ujë të pijshëm 24 orë të rreth 60% të popullatës në qytetin e Elbasanit.
Nga ky financim janë restauruar totalisht dy depo 2 mijë metër kubëshe, si dhe është ndërtuar një depo e re me 2 ndarje.
Çfarë impakti ka ky projekt? Investimi ka siguruar furnizimin me 24 orë ujë, rrit cilësinë dhe sasinë e ujit të pijshëm.
Pas kësaj, do të vijojë puna edhe për projektin tjetër për të arritur furnizimin 100% të të gjithë popullatës së Elbasanit me ujë 24 orë.
“Shifrat e ujësjellësit të Elbasanit janë impresionuese, tashmë me një nivel arkëtimi mbi 100%, pra jemi në nivelin mbi 105%, pra jo vetëm që mbledhim detyrimet aktuale të ujësjellësit, por mbledhim edhe debinë e viteve të shkuara, që patjetër ne e dimë që problematikë e theksuar ka qenë pjesa e pagesave të ujësjellësit. Dhe po ashtu, element tjetër i rëndësishëm është që jep frytet e veta dhe tashmë edhe ujësjellësi i Elbasanit paguan 100 të të gjitha faturave të energjisë elektrike, të cilat edhe në vitet e shkuara konsiderohen me shumë probleme dhe pikërisht duke bërë të gjitha këto investime, kemi mundësi të bëjmë edhe investime në rrjet edhe në kanalizime të reja.”, deklaroi ministri gjatë kësaj vizite.





