Ministri Salla: Rritje mbi 20% e regjistrimeve në programet ndërkombëtare në UBT – një hap drejt një bujqësie moderne dhe europiane

0

Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, z. Andi Salla, mori pjesë sot në ceremoninë e hapjes së vitit të ri akademik në Universitetin Bujqësor të Tiranës (UBT), ku vlerësoi bashkëpunimin me Universitetin BOKU të Vjenës si një shembull suksesi në afrimin e arsimit me tregun e punës.

Ministri Salla bëri të ditur se numri i regjistrimeve në 9 programet e përbashkëta me BOKU ka shënuar një rritje mbi 20% krahasuar me vitin e kaluar, çka sipas tij tregon besimin në cilësinë e programeve të ofruara dhe nevojën për profesionistë të rinj në sektorin bujqësor.

Falë këtij partneriteti ndërkombëtar, studentët përfitojnë diplomë të dyfishtë dhe eksperiencë ndërkombëtare, duke e kthyer UBT-në në një qendër ekselence në rajon.

Në fokus të bashkëpunimit të Ministrisë me UBT-në janë gjithashtu programet e praktikës dhe punësimit, të cilat do t’u mundësojnë studentëve të zhvillojnë aftësitë profesionale në funksion të vizionit strategjik “Bujqësia 2030”, për një sektor të qëndrueshëm dhe konkurrues në tregjet europiane.

Ministri uroi studentët për fillimin e vitit të ri akademik, duke i cilësuar si brezin që do të çojë përpara transformimin e bujqësisë shqiptare në rrugën drejt integrimit në Bashkimin Europian.

Fjalimi i Ministrit të Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, z. Andi Salla
Ceremonia e Hapjes së Vitit të Ri Akademik – Universiteti Bujqësor i Tiranës

Të nderuar studentë, pedagogë, drejtues të Universitetit Bujqësor të Tiranës,
Të dashur të ftuar,

Është kënaqësi e veçantë për mua të jem sot pjesë e kësaj ceremonie të rëndësishme, që shënon fillimin e një kapitulli të ri për shumë të rinj dhe të reja që i janë bashkuar komunitetit akademik të UBT-së.

Me shumë kënaqësi konstatojmë se këtë vit, numri i regjistrimeve në 9 programet e përbashkëta të dizenjuara me Universitetin BOKU të Vjenës ka shënuar një rritje mbi 20%. Ky është një tregues i qartë se jemi në rrugën e duhur – duke ndërtuar një arsim cilësor, të lidhur ngushtë me kërkesat e tregut të punës dhe zhvillimet moderne të sektorit.

Kjo rritje është fryt i përpjekjeve të përbashkëta për ta kthyer Universitetin Bujqësor të Tiranës në një qendër ekselence në rajon. Falë këtij partneriteti me një nga universitetet më prestigjioze europiane në fushën e bujqësisë, studentët tanë përfitojnë jo vetëm një diplomë të dyfishtë, por edhe një eksperiencë ndërkombëtare që i përgatit ata për tregun global të punës.

Marrëveshja e Bashkëpunimit mes Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural dhe UBT-së synon të forcojë këtë lidhje duke ofruar mundësi konkrete për praktika profesionale dhe programe punësimi për studentët. Kjo është në funksion të vizionit tonë të përbashkët #Bujqësia2030, për një sektor bujqësor të modernizuar, të qëndrueshëm dhe konkurrues në tregjet europiane.

Të dashur studentë,
Ju jeni brezi që do ta çojë përpara transformimin e bujqësisë shqiptare. Ju jeni energjia dhe shpresa e këtij sektori jetik për vendin tonë. Në këtë rrugëtim të dijes dhe përkushtimit, do të keni gjithmonë mbështetjen tonë për të ndërtuar një të ardhme më të mirë për bujqësinë dhe për Shqipërinë.

Ju uroj një vit të mbarë akademik, me suksese, sfida të kapërcyera dhe ëndrra të realizuara!

Faleminderit dhe suksese!