Këshilli Bashkiak i Elbasanit ka miratuar vetëm me votat e maxhorancës buxhetin e Bashkisë për vitin 2026, me 26 vota pro dhe 8 kundër. Sipas të dhënave të prezantuara, buxheti total për vitin e ardhshëm arrin në 4 miliardë e 13 milionë lekë, duke shënuar një rritje prej rreth 6 për qind krahasuar me buxhetin e vitit 2025, i cili ka qenë prej rreth 3.8 miliardë lekësh. Teksa e prezantoi para këshilltarëve Kryetari i Bashkisë Z. Gledian Lltja e konsideroi buxhetin e vitit 2026 realist të përgjegjshëm dhe të orjentuar drejtë qytetarit . Llatja theksoi se prioritet mbeten shërbimet publike vendore, infrastruktura rrugore urbane dhe rurale, si dhe zhvillimi i balancuar i territorit.
Ndryshe nga mazhoranca, e cila e konsideroi buxhetin të balancuar dhe zhvillues, drejtuesja e grupit të opozitës, Bianka Çopja, e cilësoi atë si një mashtrim financiar. Sipas saj, buxheti nuk përfshin asnjë projekt madhor për zhvillimin e qytetit të Elbasanit, por vetëm investime të fragmentuara, të përdorura për qëllime propagandistike.
Kritika ndaj buxhetit të prezantuar u shprehën edhe nga këshilltarë të tjerë të opozitës, të cilët e konsideruan atë një buxhet të fokusuar kryesisht në rroga dhe administratë, dhe jo në përmirësimin e shërbimeve për qytetarët.
Kryebashkiaku theksoi para të pranishmëve se vëmendje e veçantë do t’u kushtohet edhe zonave turistike, si Gjinar dhe Funar, me synim zhvillimin ekonomik dhe rritjen e potencialit turistik të tyre.





