Mot i keq me reshje të dendura shiu ,breshëri e dëbore prek edhe Qarkun e Elbasanit

0

 

Mesditën e kësaj të diele, qytetet dhe fshatrat e Qarkut të Elbasanit u përfshinë nga moti i keq i shoqëruar me reshje të dendura shiu. Pjesë të shumta të rajonit të Elbasan duke përfshirë tëgjitha qytetet dhe fshatrat përjetuan një përkeqësim të kushteve atmosferike që solli vështirësi në lëvizjen e qytetarëve në aktivitetet e tyre përditshme sidomos nga ora 14:00-15:00 kur intensiteti i reshje ishte mjaft i dendur. Në zonat e thella malore të bashkive Librazhd, Prrenjas, Gramsh por edhe Elbasan kanë filluar reshjet e dëborës por me trashësi të papërfillshme për momentin .Temperaturat kanë pësuar një ulje të ndjeshme këtë fundjavë duke shtuar vështirësitë për ata që jetojnë në këto zona dhe duke krijuar një situatë të vështirë për lëvizjen normale në zonat rurale dhe duke u bërë pengesë në realizimin e aktiviteteve në natyrë. Megjithatë, Emergjencat Civile të bashkive Elbasan, Librazhd, Prrenjas, Gramsh, Cërrik, Peqin dhe Belsh raportojnë se nga moti i keq nuk janë shkaktuar probleme serioze për jetën e qytetarëve dhe situata është duke u mbajtur nën kontroll. Autoritetet kanë vepruar menjëherë për të garantuar sigurinë e qytetarëve dhe për të evituar ndonjë rrezik të mundshëm.Ndërkaq nga mbizotërimi i motit me reshje ka pasur rënie inertesh në disa segmente të rrugës kombëtare Elbasan-Librazhd-Prrenjas, veçanërisht në vendet e quajtura “Kthesat e Murrashit”, “Kthesat e Dragostunjës” dhe “Kthesat e Pishkashit”, ku nga lartësitë e kodrave kanë rënë gurë si edhe ka pasur rrëshqitje masivesh me dhera. Megjithatë, fatmirësisht nuk ka pasur incidente dhe situata është menaxhuar mjaft mirë.Autoritetet kanë ndërmarrë masat e nevojshme për pastrimin e rrugëve dhe për garantimin e sigurisë në këto zona.Përkundër kushteve të këqija të motit, emergjencat dhe shërbimet e mbrojtjes civile kanë bashkëpunuar ngushtë për të siguruar që çdo situatë e mundshme e përkeqësimit të mbahet nën kontroll dhe që qytetarët të jenë të mbrojtur nga rreziqet e mundshme të motit të keq./Infoweb Media