Moti i keq në Elbasan/Rrezikohet të përmbyten dy banesa

0

Në qarkun Elbasan vijojnë reshjet e shiut, të cilat prej orës 14:00 kanë pasur intensitet të ulët. Sipas të dhënave zyrtare, gjatë ditës së sotme kanë rënë 34 mm shi.

Një prej problematikave më të dukshme u shënuar në Njësinë Administrative Grekan, në Bashkinë Belsh, ku u evidentua rreziku i çarjes së digës së Shelgut, digë anësore mbrojtëse e lumit Devoll. Niveli i ujit arriti në kuota të larta, duke rrezikuar përmbytjen e dy banesave dhe të tokave bujqësore përreth. Sipas strukturave vendore, situata u shkaktua nga reshjet me intensitet mesatar si dhe shkarkimet e larta nga HEC Banjë. Pas uljes së prurjeve të shkarkuara, niveli i ujit ra dhe aktualisht nuk paraqitet rrezik për përmbytje.

Edhe në Bashkinë Cërrik u shënua nivel i lartë i ujit në kanalin “Naun Panxhi”. Situata u menaxhua në bashkëpunim me DRUK Korçë, duke u ndërhyrë për hapjen e kanaleve shkarkuese dhe disiplinimin e prurjeve.

Përveç këtyre rasteve, pjesa tjetër e territorit të qarkut nuk ka paraqitur probleme, ndërsa strukturat përgjegjëse vazhdojnë monitorimin e situatës në terren për çdo zhvillim të mëtejshëm.