Mozaik Margaritarësh :Mbrëmja koreografike që “ngjalli” skenën e Elbasanit

0
Screenshot

 

Elbasani u shndërrua këtë javë në një qendër të vërtetë të energjisë dhe krijimtarisë artistike, falë mbrëmjes koreografike “Mozaik Margaritarësh”, organizuar nga Art Revolution Dance. Për dy net radhazi, më 9 dhe 10 dhjetor, mbi 200 fëmijë dhe artistë të rinj u ngjitën në skenë duke sjellë një spektër të gjerë performancash.

Në skenën e Teatrit të qytetit u ndërthurën zhanre të ndryshme, nga kërcimi modern, tek motivacionet popullore shqiptare, të shoqëruara me një pasuri të dukshme kostumografike vendase. Koreografët e trupës i kapërcyen kufijtë tradicionalë, duke prezantuar edhe fragmente të frymëzuara nga Turqia, Italia, Mongolia e vende të tjera.

Mbrëmjet u pasuruan nga prania e të ftuarve specialë: aktori Laert Vasili, artistët Pier Noshi dhe Stiv Mello, të cilët përshëndetën këtë nismë kulturore që promovon artin e të rinjve.

Ky aktivitet vjetor jo vetëm që evidenton talentet e reja të kërcimit, por shërben edhe si një platformë e rëndësishme për zhvillimin e tyre artistik, duke nxitur pasionin, disiplinën dhe krijimtarinë. Të dyja mbrëmjet u ndoqën me interes të veçantë nga publiku, ku spikasnin prindër, gjyshër dhe artdashës, por edhe personalitete të rëndësishme të jetës kulturore dhe publike të qytetit, të cilët duartrokitën me entuziazëm performancat.
“Mozaik Margaritarësh” konfirmon edhe një herë se Art Revolution Dance është një ndër kontribuesit më aktivë në gjallërimin e skenës kulturore të Elbasanit dhe në promovimin e brezit të ri të artistëve.