Ndahen çmimet “Sami Frashëri ” për shkrimtarë, studiues dhe botues ,shpallen autorët dhe veprat më të mira për vitin 2024

0

Në Galerinë e Artit në Seferan, Belsh, u zhvillua këtë fundjavë një nga aktivitetet më të rëndësishme në kuadër të “Muajit të Letërsisë”. Ky ishte edicioni i parë i çmimit “Sami Frashëri”, i dedikuar shkrimtarëve, studiuesve dhe botuesve për vitin 2024. Në aktivitet morën pjesë akademikë, figura të rëndësishme të letërsisë dhe artit, si dhe të rinj të apasionuar pas këtyre fushave. Në përfundim të aktivitetit, juria ndau çmimet “Sami Frashëri”.

Juria e këtij edicioni përbëhej nga Namik Dokle, ish-kryetar i Parlamentit dhe shkrimtar; Behar Gjoku, studiues; Gëzim Hoxha, arkeolog; Viola Isufaj, profesoreshë e Letërsisë Bashkëkohore në Fakultetin e Historisë dhe të Filologjisë, Universiteti i Tiranës; dhe Naim Gjoshi, kompozitor. Fituesit e këtij edicioni u shpallën si vijon:

  • Çmimi “Sami Frashëri” në Letërsi iu dha shkrimtarit Ben Blushi për romanin “Komploti”.
  • Çmimi “Sami Frashëri” në Publicistikë iu dha botuesit Bujar Hudhri për gazetën EXLIBRIS.
  • Çmimi “Sami Frashëri” në Studime Albanologjike iu dha studiuesit Mariglen Kasmi për librin “Wilhelm Zu dhe Shqipëria”.

Namik Dokle, kryetar i jurisë, e përshkroi këtë ditë si emocionuese jo vetëm për shkrimtarët, studiuesit dhe botuesit, por edhe për Belshin dhe zonën e Dumresë, ku nisi ky event i rëndësishëm. Ai theksoi se ky çmim me emrin e rilindasit të shquar Sami Frashëri do të kthehet në një traditë të përvitshme për Belshin, një qytet i vogël me një emër të madh. “Belshi është më i bukur se bukuroshja e Belshit. Sot promovojmë një çmim të rëndësishëm me emrin e Sami Frashërit, i cili mbetet një nga personalitetet më të rëndësishme të Rilindjes,” shtoi ai.

Në fjalën e tij, Ben Blushi, fitues i çmimit në letërsi për librin “Komploti”, falënderoi jurinë dhe lexuesit shqiptarë. “Belshi është një mrekulli natyrore, dhe Sami Frashëri kishte të drejtë kur propozonte që Belshi të zgjidhej kryeqytet. Faleminderit për çmimin për librin ‘Komploti’, i cili është lexuar nga shumë lexues, edhe pse sot leximi nuk është më aq i preferuar sa më parë,” tha Blushi.

Botuesi Bujar Hudhri gjithashtu shprehu mirënjohjen e tij për çmimin prestigjioz “Sami Frashëri”, duke theksuar rëndësinë e promovimit të shkrimtarëve, studiuesve dhe botuesve shqiptarë të së ardhmes. Studiuesi Mariglen Kasmi, i vlerësuar për studimin “Wilhelm Zu dhe Shqipëria”, falënderoi jurinë dhe lexuesit për mbështetjen ndaj punës së tij.

Kryetari i Bashkisë Belsh, Arif Tafani, falënderoi Këshillin Bashkiak për themelimin e çmimit vjetor “Sami Frashëri”. Tafani shprehu shpresën që ky çmim do të kthehet në një garë prestigjioze dhe do të inspirojë brezat e rinj për dashurinë ndaj librit dhe studimeve. Ai njoftoi se edicioni i ardhshëm do të zhvillohet më 1 Qershor dhe do të synojë të bëhet eventi më i madh kombëtar i këtij lloji.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu