Ndahet nga jeta Saimir Boçi. Dedikimi prekës i deputetit Luçiano Boçi

0

Është ndarë nga jeta Saimir Boçi një ndër personazhet karizmatikë të qytetit të Elbasanit.  Ish futbollist, kronikan dhe mësues, Saimir Boçi u nda nga kjo jetë duke lënë pas pikëllim të madh për familjen, shokët dhe miqtë e shumtë, nxënësit, kolegët dhe gjithë ata që e njohën.

Kishte një shpirt mjaft bujar. Ishte përherë i dashur dhe i qeshur.  Impononte çiltërsi.

 

Vetë Saimiri kishte postuar tre ditë më parë një mesazh ku njoftonte për sëmundjen me të cilën po luftonte. As vetë nuk e besonte se do të ndahej nga kjo botë.

Largimi i tij është përjetuar me hidhërim veçanërisht për shokët për të cilët ai bënte aq shumë.  Mjaft prej tyre e kanë shprehur vlerësimin dhe respektin për të në rrjetet sociale.

Ne po veçojmë njërin prej tyre, kushëririt të tij, ish-deputetit të PD-së Luçiano Boçi.

Ja çfarë shkruan Boçi në profilin e tij në Facebook:

I MIRI SAJMIR

Më shumë shok i imi se kushëri, Sajmir Boçi i mirë, nxitoi të kapte pafundësinë…

Iku pa një përshëndetje, i gatshëm si gjithmonë që të bënte i pari sakrificën.

Po kësaj radhe nuk e di pse zgjodhi sakrificën e jetës!?

Ndoshta për të na thënë neve që ajo vlen, pa konsideruar se ajo duhet të ishte dhe e tij.

Saja i ngjante një anije në det të hapur të trazuar, që kërkonte të rrokte përherë dallgën më të madhe.

“I keqi i vetes dhe i miri i të tjerëve”, Boçi, siç e thirrnin një pjesë e shokëve, kishte një zemër të madhe dhe një shpirt bohem.

Ngjan e pabesueshme që nuk do kemi më pranë të mirin Sajmir, shokun besnik, mikun e rrallë dhe njeriun e shumë betejave politike.

Ish futbollisti i Labinotit të Elbasanit, kronikani i çdo ngjarje të Partisë Demokratike, që nga themelimi i saj, pranë televizionit “Dardan”, mësues i përkushtuar i Gostimës, Sajmir Boçi, me turravrapin e tij drejt parajsës, la pas piketat e njeriut që meriton respekt e nderim.

Do na mungosh shumë Saje!

I lehtë dheu e ndriçoje parajsën me gëzimin tënd tipik për jetën.

Dhe atje unë kam besim tek ty!

Ne s’do të harrojmë!

InfoWebTv i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes Boçi! Saimiri do të mbetet gjatë edhe në memorien e kolegëve të tij gazetarë me të cilët ai punoi për një kohë të gjatë.

 

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu