“Na pajisni me certifikatën e banesës, mos na diskriminoni” ishte ky mesazhi që një grup qytetarësh nga komuniteti rom në Elbasan përcollën në Ditën Ndërkombëtare të Romëve. Të pozicionuar përballë Agjencisë Shtetërore të Kadastrës ata pohuan se ndjehen të diskriminuar nga institucionet shtetërore. Pa një dokument pronësie në dorë, këta qytetarë nuk ndihen të mbrojtur nga shteti dhe jetojnë me frikën se çdo projekt i ri zhvillimi mund t’i lërë në rrugë.
Aktivisti i Lëvizjes Rinore Egjyptiane dhe Rome Ervis Çota, krah banorëve pohoi se edhe pse një numër I lartë qytetarësh kanë aplikuar për të legalizuar shtepitë e tyre prej gati 2 dekadash nuk kanë arritur të përfundojnë procedurat.Çota kërkoi respektimin e afateve ligjore.
Sipas të dhënave të grumbulluara nga vetë komuniteti, mbi 200 romë në Elbasan janë ende në pritje të legalizimit të banesave të tyre. Ndërkohë, numri i atyre që kanë mundur të marrin certifikatën e pronësisë mbetet shumë i vogël./Infoweb Media