TIRANË- Si rezultat i shkëmbimit të informacioneve dhe i koordinimit të punës me partnerët ndërkombëtarë, ekstradohen 2 shtetas shqiptarë të shpallur në kërkim ndërkombëtar.
Është ekstraduar nga Gjermania drejt Shqipërisë, shtetasi shqiptar, Sulejman Kapllani 68 vjeç, banues në Shkodër. Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, me vendimin e datës 11.02.2024, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja me dashje”, mbetur në tentativë dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe e municionit”. Shtetasi Sulejman Kapllani është lokalizuar dhe kapur në Gjermani, si rezultat i operacionit të përbashkët, të koduar “Koordinimi”.
Si rezultat i bashkëpunimit me Interpol Romën, është ekstraduar nga Shqipëria drejt Italisë Glorildo Halili 29 vjeç.
Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi Gjykata e Torinos, Itali, me vendimin e datës 09.02.2023, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Trafikimi i lëndëve narkotike” dhe “Grupi kriminal”, të parashikuara nga Kodi Penal i Italisë.
Shtetasi Glorildo Halili është lokalizuar dhe kapur në Durrës, më datë 07.11.2023, gjatë operacionit policor të koduar “Vendndodhja”, i zhvilluar nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve i DVP Durrës, në bashkëpunim me Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale të Policisë së Shtetit.