PRISHTINË- Të hënën, më 5 shtator, kryeministrja e Serbisë Ana Brnabiç do të jetë për vizitë në Kosovë. Por sot, në një konferencë për mediat, kryeministri Albin Kurti i ka kërkuar homologes që të bëjë kujdes në deklaratat që bën. Po ashtu, numri një i qeverisë së Kosovës ka folur edhe për rolin e tij në përmirësimin e jetës së minoritetit serb.
“Pres që zonja Brnabiç të mos e vazhdojë avazin e kryenegociatorit nga Beogradi, i cili jepte deklarata përçarëse, ndarëse që kishin për qëllim tensionimin dhe destabilizimin. Kemi nevojë të përqendrohemi te jeta më e mirë e qytetarëve. Unë besoj që Qeveria e Republikës së Kosovës me mua si kryeministër për këtë më pak se një vit e gjysmë ka bërë më shumë sesa çdo qeveri paraprake edhe sa i përket punësimit të personave nga komunitetet pakicë apo jo shumicë, por këtu e kemi një vështirëse, sepse punësimi ka shkuar shpesh sipas partive politike, jo sipas përkatësisë nacionale,” tha Kurti.