Nga ambasadore, lidhja me PS e deri te implikimi në trafik droge, historia e plotë e Elsa Lilës

0

Këngëtarja e njohur shqiptare, Elsa Lila ka rënë sot në prangat e policisë italiane, pasi dyshohet se është pjesë e një grupi të organizuar të trafikimit të drogës. Këngëtarja shqiptare është arrestuar me 12 të tjerë, të cilët operonin në zonën e Acilias në Romë, duke u kthyer për vetëm pak momente nga “ambasadorja” e Shqipërisë në Itali, në personazhin më “VIP” të botës së errët të krimit. Për herë të parë, Elsa Lila, e cila është përmendur gjithmonë për artin e saj, sot ka pushtuar të gjitha faqet e para të mediave për lidhjet e saj me krimin dhe drogën. Elsa ishte një nga këngëtaret që publiku e përqafoi dhe e deshi shumë, sidomos për portretin dhe zërin e saj gati-gati ëngjëllor.

Lila ishte ende adoleshente teksa u ngjit në skenë në 1996 dhe fitoi Festivalin e RTSH me këngën “Pyes lotin”, e cila këndohet edhe sot. E që atëherë nuk është ndalur më.

Ajo preku skenën e madhe të Festivalit të Sanremos me këngën “Valeria” në vitin 2003, duke e renditur në vendin e tretë. Ndërsa në vitin 2007 ajo mori pjesë sërish me këngën “Il senso della vita”. Që atëherë jeta e artistes ka vijuar në Romë. Elsa është nënë e një vajze 10-vjeçare të quajtur Evita, por e tërhequr nga muzika dhe larg rrjeteve sociale.

Por kush është Elsa Lila?

Elsa Lila ka lindur në Tiranë, Shqipëri dhe babai i saj ishte një këngëtar i ish-korit të shtetit shqiptar, ndërsa nëna e saj ishte violiniste, kështu që të dy prindërit e saj e rritën atë afër muzikës dhe teatrit, duke i dhënë asaj një dashuri të madhe për artet. Në vitin 2001, Elsa Lila u dekorua nga Presidenti i Shqipërisë, Rexhep Meidani, me titullin “Ambasadore e muzikës së Shqipërisë në botë” duke u bërë kështu një qytetare e botës e lindur në Shqipëri dhe e realizuar në Itali.

Por për herë të parë u “përplas” në vitin 1997, kur ajo do të përballej me një ngjarje të rëndë, vrasjen e nënës së saj, Evës.

Viktima punonte si kameriere në lokalin “Juna”, që ndodhej në cep të Parkut Rinia, ngjitur me Ministrinë e Mbrojtjes. Ajo kishte mundur të punësohej për shkak të njohjeve që familjarët e saj kishin me pronarët e lokalit. Duke qenë se ishte e divorcuar, Eva Vishaj jetonte me fëmijët në një apartament me qira në afërsi të rrugës “Bardhyl”. Në periudhën e vitit 1997, për shkak të rrëmujave të atij viti, pjesa më e madhe e popullsisë qëndronte në shtëpi. Eva Vishaj, për shkak të njohjeve dhe lidhjeve që kishte me drejtoreshën e shkollës “Hoxha Tasim”, F.N., kishte filluar të shkonte në kurse aerobie në kohën e lirë.

Më 23 maj 1997, Albenc Ago, i cili udhëtonte me një makinë tip fuoristradë, e ka marrë gruan dhe është larguar në drejtim të Rrugës së Elbasanit. Ai e ka vrarë dhe trupin e pajetë të saj e ka hedhur në kilometrin e 29-të të aksit Tiranë-Elbasan. Mekanizmi i ngjarjes, është zbardhur nga dëshmitarët e shumtë që janë pyetur në procesin gjyqësor, mes tyre dhe njerëz që kishin bashkëpunuar ngushtë me Agon. Por, pavarësisht firmosjes së dënimit prej 20 vitesh burg, nuk u hodh dritë mbi motivin e vrasjes së Eva Vishajt. Megjithatë duket se ngjarja ka lënë shenjë tek këngëtarja, e cila ka vendosur që të bijës t’i vendosë emrin e nënës së ndjerë.

HISTORIA E DASHURISË

Në një intervistë të dhënë kohë më parë për Arjan Konomin, këngëtarja rrëfeu si kurrë më parë për jetën private, ku dhe zbuloi se ishin në pritje të fëmijës së tyre të parë. Ajo tregoi gjithashtu për herë të parë se partneri i saj ishte italian dhe quhej Alessandro, të cilin e kishte njohur në Madagaskar. Megjithatë dashuria e tyre mbaroi shpejt. E për arsye që nuk dihen.

“Alessandron e kam njohur gjatë një udhëtimi shumë të veçantë në ishullin e largët të Madagaskarit në Afrikë, vendi ku ai jeton që prej pesë vitesh dhe punon si zhytës profesionist. Ishte fundi i dhjetorit të 2008-ës dhe unë sapo kisha mbaruar së prezantuari për të dytën herë Festivalin në RTSH. E lodhur dhe e stresuar nga puna e madhe dhe prapaskenat e pakëndshme që më ndodhën atë fundviti pune intensive, vendosa të shkoja diku larg për të kaluar Vitin e Ri dhe për t’u rigjeneruar disi psikologjikisht, shpirtërisht dhe fizikisht. Unë dashuroj detin dhe mendova të shkoja në një vend të nxehtë, prandaj, pasi studiova për të qindën herë hartën e botës dhe gjithë vendet nën ekuator, nuk e di pse, sytë më shkuan te ishulli i madh i Madagaskarit. Pa e menduar gjatë, organizova udhëtimin dhe si zakonisht vetëm (pasi mua më pëlqen shumë të udhëtoj vetëm) u nisa!”

Nga dashuria e tyre, në orët e pasdites së 8 marsit të 2011-ës, lindi Evita, vajza e saj, e cila duket se ka trashëguar edhe talentin e saj për muzikën.

Evita
“Shtatzënia ime filloi në Madagaskar në qershor të 2010-ës. E zbuluam kur unë isha pesë javëshe dhe ndërkohë, duke mos e ditur që isha shtatzënë, vazhdoja të zhytesha çdo ditë (sport i cili është rreptësisht i ndaluar në gjendje shtatzënie), të hidhesha nga shkëmbinj 10 metra të lart mbi ujë, me kishin pickuar mokafui (mushkonja tipike të Madagaskarit që mund të mbartin dhe malarje), të haja nëpër baraket e ishullit ushqime (të cilat unë i pëlqej shumë) të gatuara aty për aty me mjete rrethanore nga banorët e ishullit në kushte jo të mira higjenike etj etj. Kur e zbuluam u kthyem menjëherë në Itali për të bërë vizitat mjeksore e për të parë nëse gjithçka ishte në rregull, duke qenë se unë “nuk isha sjellë dhe aq mirë”! Po. Dhe unë i propozova ta quanim Evita që në spanjisht do të thotë “Eva e vogël”. Eva doja ta quaja në kujtim të nënës sime.”

Por jeta e saj ka pasur plot të papritura! Si momenti dramatik, ku Elsa për pak e humbi Evitën.

“I vetmi moment ku bota m’u shemb dhe sytë m’u errën e trupi më dridhej si nën një elektroshok ka qenë një episod ku Evita shpëtoi mrekullisht. Ishte rreth një muajshe e gjysmë, ora rreth 11 e natës dhe ajo flinte e qetë. Një instinkt i çuditshëm më tha: Çohu Elsa dhe shko kontrolloje vajzën. Kur iu afrova shtratit të saj, me tmerr zbulova se ajo nuk po merrte frymë dhe kishte marrë një ngjyrë që dua ta harroj. E mora në krahë dhe ndërkohë që bërtisja për ndihmë nëpër shkallët e pallatit e lëvizja fort me gjoksin e saj të vogël mbështetur në pëllëmbën time. Pas disa sekondash të gjata tmerri që mua m’u dukën si orë, ajo papritur qau, u rikthye përsëri dhe unë nuk kam fjalë për të përshkruar emocionin e fuqishëm, lotët, trupin që më dridhej deri në palcë dhe fytyrën që kishte marrë ngjyrë blu. Evita qante dhe unë lumturohesha. Një engjëll e kishte mbrojtur, ndoshta gjyshja e saj Eva dhe stërgjyshja e saj Dallëndyshja që nuk janë më. Më çuan instiktivisht ta kontrolloja sërish ndonëse pak çaste më parë kisha qenë pranë saj. Pak sekonda më vonë dhe do të kishte qenë tepër vonë. Por nuk dua ta mendoj.”

MARRËDHËNIA ME POLITIKËN

Në 2010 iu bashkua deputetëve në grevën e urisë, ku ka bërë thirrje që qytetarët të mbështesnin Partinë Socialiste në kërkesën për hapjen e kutive të zgjedhjeve të 2009-ës. Ajo iu bashkua grevës së urisë duke ndenjur në çadrën e vendosur në shesh, e të mbushur plot me socialist që kërkonin drejtësi për të ashtuquajturat “kutitë e Ruzhdies”. Më pas, në vitin 2013, kur Partia Socialiste mori pushtetin, ajo duket se fillimisht iu bashkua “Rilindjes”, madje fotoja e saj, e përqafuar me kryeministrin Edi Rama sot është bërë virale kudo. Megjithatë këtë projekt e la në gjysmë, pasi daljen e fundit në Shqipëri e pati në 2014, në emisonin “The Voice of Albania”, duke u larguar për të mos u kthyer më!dosja.al

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu