Nga lindja në Sofje e deri te Kina ku jetoi 5 vjet/ Artan Imami rrëfen fëmijërinë e veçantë në “Dola te Ola”!

0

Aktori dhe regjisori i njohur, Artan Imami ishte i ftuar këtë të diel në programin “Dola te Ola”, ku teksa rrugëtoi nëpër kujtime me anë të fotografive ndau historinë e veçantë të fëmijërisë së tij.

Ai ka lindur në Sofje të Bullgarisë, pasi prindërit e tij kanë qenë me studime atje. Në fotografitë që u shfaqën në studio aktori shihej të ishte një fëmijë shumë i bukur. Ai tregoi se gjatë kohës që prindërit ishin me studime, ka qenë gjyshja që është kujdesur për të.

Aktori tregoi se nga një fëmijë i dobët pasi kishte ardhur në jetë shtatanik, në muajin e gjashtë ishte një fëmijë topolak e shumë i bukur aq sa nëna e tij nuk e njohu pas disa javësh qëndrimi te gjyshja.

Më tej aktori rrëfeu se pasi prindërit mbaruan studimet në Sofje, kur ai ishte rreth moshës njëvjeçare, ata u shpërngulën në Kinë ku jetuan për 5 vite e gjysmë, pasi babai filloi punë në Ambasadën tonë atje, kurse mamaja kujdesej për ta. “Mami ishte dhurata që babi na kishte bërë që të na rriste me të gjitha kushtet”, tha ai. Teksa u pyet se me cilin nga prindërit ka qenë më shumë i lidhur aktori rrëfeu se lidhjen më të ngushtë e ka patur me nënën e tij.

Gjatë bisedës aktori rrëfeu edhe humbjen e prindërve të tij dhe mungesën e madhe që ai ndjen çdo ditë, teksa tregoi se pati fatin që ata të jetonin gjatë por e prekte fakti që përpara se ata të largoheshin nga kjo jetë kanë vuajtur nga sëmundje të rënda, sidomos nëna.

Artan Imami u shpreh se ikja e prindërve është e dhimbshme pasi ata janë mbështetja më e madhe në jetë. “Kur i ke prindërit s’do t’ia dish për asgjë, çfarëdo që të ndodhë ata janë aty. Prehëri i nënës është jastëku më i bukur që ekziston”, tha ai.

Ndërkohë prej disa vitesh aktori Imami është vetë në rolin e babait. Ai ka një vajzë 8 vjeçe, por flet për 2, pasi dhe partneren e quan vajzën e vet. “Janë shumë të mira”, tha ai, teksa e cilësoi veten me fat për familjen që ka.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu