Nga teoria në praktikë/ Projekti i drejtuar nga Jonida Mustafaraj synon të përgatisë stafet e kopshteve për çrregullimet neurozhvillimore

0

Një projekt kërkimor me fokus rritjen e aftësive profesionale të stafeve pedagogjike për identifikimin dhe menaxhimin e çrregullimeve neurozhvillimore tek fëmijët është realizuar në Fakultetin e Shkencave të Edukimit. Projekti mban titullin “Identifikimi i aftësive profesionale për çrregullimet e neurozhvillimit te stafet pedagogjike në sistemin e arsimit parashkollor në qytetin e Elbasanit” dhe drejtohet nga pedagogia e psikologjisë, Dr. Jonida Mustafaraj.

Pjesë e ekipit si bashkëpunëtorë shkencorë janë Prof.dr. Elisabeta Osmanaj, dekane e Fakultetit të Shkencave të Edukimit, Prof.as.dr. Ardian Tana, zv.dekan i fakultetit, Dr. Beatriçe Gani, drejtuese e Qendrës për Kërkim & Zhvillim në Edukim, si dhe Dr. Erjona Hasa, pedagoge në Departamentin e Shkencave Sociale dhe Edukimit Qytetar.

Projekti ka një kohëzgjatje 12-mujore, nga korriku 2025 deri në qershor 2026, dhe është pjesë e Programit Kombëtar të Kërkimit dhe Zhvillimit 2025. Ai mbështetet financiarisht nga Agjencia Kombëtare e Kërkimit Shkencor dhe Inovacionit (AKKSHI) dhe Universiteti i Elbasanit “Aleksandër Xhuvani”.

Gjithashtu, iniciativa ka gjetur mbështetje institucionale dhe bashkëpunim nga Bashkia Elbasan, Drejtoria e Përgjithshme për Politikat e Kujdesit Social, Arsimit, Rinisë dhe Sportit, si dhe sektori i arsimit parashkollor dhe shëndetësisë.

Sipas drejtuesve të projektit, rëndësia e kësaj nisme lidhet me nevojën në rritje për njohuri praktike dhe shkencore mbi çrregullimet neurozhvillimore tek fëmijët, duke ndihmuar stafet pedagogjike të identifikojnë më herët problematikat dhe të ndërhyjnë në mënyrë më efektive.

Në kuadër të projektit, edukatoret jo vetëm që kanë ndjekur sesione trajnimi, por do të pajisen edhe me manuale praktike që përfshijnë informacion mbi çrregullimet neurozhvillimore, terapitë mbështetëse, komunikimin përmes imazheve, si dhe teknika për menaxhimin e sjelljeve të padëshiruara apo agresive.

Ky projekt synon të shërbejë si mbështetje për profesionistët që punojnë me fëmijë me çrregullime neurozhvillimore, për studentët e psikologjisë, shkencave sociale dhe edukimit, studiuesit shkencorë, prindërit e fëmijëve me diagnoza të tilla, si dhe komunitetin në tërësi.

 

Nisma të këtij niveli, të orientuara drejt kërkimit shkencor dhe zbatimit praktik, vijojnë të mbeten pjesë e fokusit të Universitetit të Elbasanit “Aleksandër Xhuvani”, në përpjekje për të forcuar rolin e tij në kërkimin shkencor kombëtar dhe ndërkombëtar.