Ngjarje të rënda dhe shkelje ligjore në qarkun Elbasan: një i arrestuar, disa procedime penale

0

Drejtoria Vendore e Policisë Elbasan njofton se, në vijim të veprimeve hetimore dhe procedurale të kryera nga strukturat vartëse, janë arrestuar dhe proceduar disa shtetas për vepra të ndryshme penale, që nga shkeljet e rënda në punë, te aksidentet rrugore dhe kanosjet për motive pronësie.

Në lidhje me ngjarjen e rëndë të ndodhur në një servis në fshatin Dardhë, Librazhd, ku gjatë riparimit të një automjeti humbi jetën shtetasi L. D., 23 vjeç, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Librazhd arrestuan në flagrancë pronarin e subjektit, shtetasin I. P., 40 vjeç. Ai akuzohet për veprat penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë” dhe “Punësimi i paligjshëm”. Nga hetimet dyshohet se në subjektin e tij ishin punësuar në mënyrë të paligjshme shtetasit J. P. dhe M. Q.

Ndërkohë, specialistët e Sektorit të Qarkullimit Rrugor arrestuan në flagrancë dy shtetas për drejtim mjeti në gjendje të dehur. Shtetasi A. K., 45 vjeç, humbi kontrollin e automjetit që drejtonte dhe përfundoi jashtë rruge, ndërsa shtetasi E. Sh. u kap duke drejtuar motomjetin në gjendje të dehur dhe pa leje drejtimi.

Po këta specialistë referuan materialet në Prokurori dhe nisën procedim penal ndaj shtetasit G. S., 67 vjeç, banues në Korçë, pasi më datë 14.02.2026, në aksin rrugor “Librazhd–Elbasan”, automjeti që ai drejtonte u përplas me një mjet tjetër me drejtuese shtetasen A. B., 21 vjeçe, banuese në Tiranë. Si pasojë e aksidentit u dëmtuan të dy drejtuesit e mjeteve dhe shtetasja M. B., pasagjere, të cilët ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Gjithashtu, procedim penal është nisur edhe ndaj shtetasit I. H., 28 vjeç, i cili në rrugën “Shën Thanasi” ka aksidentuar me automjet këmbësorin Sh. R., 62 vjeç. Edhe ky i fundit ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Në një tjetër rast, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Librazhd referuan materialet në Prokurori ndaj shtetasit G. Ç., 59 vjeç, i cili dyshohet se ka kanosur me fjalë shtetasin L. L., 51 vjeç, për motive pronësie.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme.