Nis online viti i ri shkollor në Universitetin e Elbasanit. Flasin studentët

0

Sivjet mungon zhurma e studentëve nëpër auditore. Viti i ri akademik ka filluar në një situatë të re për shkak të pandemisë edhe në Universitetin e Elbasanit “Aleksandër Xhuvani”.
Në zbatim të Vendimeve të Komitetit Teknik të Ekspertëve, njoftuar përmes Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, procesi mësimor në Universitetin e Elbasanit, për muajin e parë të vitit akademik 2020-2021, do të zhvillohet online në platformën Microsoft TEAMS.
Për të realizuar mbarëvajtjen e procesit, rektorati dhe dekanatet kanë kryer njoftimet përkatëse për studentët dhe pedagogët. Sot pedagogët kanë nisur mësimin online.
Në fjalën përshëndetëse Rektori i UE, prof. dr. Skender Topi mes të tjerash është shprehur se, pavarësisht kësaj situate, ky do të jetë një vit sfidash e suksesesh të reja si për studentët ashtu edhe për personelin akademik.
Aktualisht ka përfunduar faza e parë e regjistrimeve bachelor. Ndërsa në programin e ciklit të dytë master regjistrimet vazhdojnë deri në datën 6 nëntor.
Në fund të tre fazave në Universitetin e Elbasanit u regjistruan 1417 studentë. Ky Universitet numëron mbi 10. 000 studentë.
Fakultetet me regjistrimet më të mira për këtë vit ishin Fakulteti i Shkencave Mjekësore-Teknike, Fakulteti i Shkencave të Natyrës, Fakulteti Ekonomik etj.
UE numëron 43 programe studimi të ciklit të parë dhe diploma profesionale 2-vjeçare dhe 45 programe studimi në Master Profesional dhe Master i Shkencave. Programet me numër të ulët janë ata të mësuesisë për shkak të mesatares së lartë të vendosur si kusht.
Universiteti i Elbasanit ka marrë të gjitha masat për mbarëvajtjen e procesit mësimor online të kushtëzuar nga Covid-19.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu