Nis votimi elektronik në 224 qendra të Bashkisë Elbasan.
Sipas të dhënave të para janë hasur disa vështirësi për mënyrën e votimit kryesisht nga mosha e tretë.
Nga një vëzhgim në disa qendra votimi rezulton se në përgjithësi procesi po vijon, por në disa prej tyre ka probleme me pajisjet.
Në këtë rast po kërkohet asistenca e specialistëve për ti vënë në punë.
Ndërsa sa i përket qytetarëve ata instruktohen nga operatorët e KQZ të cilët i udhëzojnë se si duhet të votojnë.
Gazetarja Entela Duka raportoi për ecurinë e votimit nga qendra e votimit 2377 lagja Vullnetari e cila ka probleme pasi pajisjet ngecin dhe ka radhë për votim nga qytetarët.
Ndërsa gazetari Ersid Karaj njofton se në qendrën e votimit 2303 ka probleme me identifikimin e kartave të identitetit dhe është ndërprerë procesi i votimit dhe pritet që kjo pajisje të rregullohet nga ekspertët e ID.
E njëjta situatë po haset edhe në shkollën Dhaskal Todri ku në një qendër votimi, pajisja e identifikimit nuk funksionon pasi i përket një qendre tjetër dhe për këtë arsye është njoftuar KZAZ.