Nisin hetimet ndaj profesorit rus : Holokausti është “një mit”

0

Në Shën Petersburg, qytetin e dytë më të madh të Rusisë, një profesor është nën hetim pasi ka mohuar publikisht Holokaustin. Gjatë një seminari, ky profesor kishte deklaruar se Holokausti gjatë Luftës së Dytë Botërore është “një mit” dhe “trillim”.

Me të marrë informacionin për këto deklarata, zyra e prokurorit rajonal të Leningradit filloi hetimet. Një njoftimin e kësaj prokurorie nuk u bë i ditur identiteti i profesorit.

Por, kryeredaktori i radios Ekho Moskvy në Shën Petersburg, Valery Nechai, tha në fillim të janarit se trajnimi në fjalë u mbajt nga profesori, Vladimir Matveyev, i Universitetit Shtetëror të Ekonomisë të Shën Petersburgut dhe Akademisë Ruse të Ekonomisë Kombëtare dhe Administratës Publike.

Nechai, duke iu referuar një videoje të siguruar nga trajnimi, tha se Matveyev ka deklaruar aty se numri i hebrenjve të vrarë gjatë luftës ishte “i ekzagjeruar”, duke bërë një përfundim se “gjenocidi ndaj hebrenjve” nuk mund të quhet Holokaust.

Qëllimi i ligjeratës së tij ishte përgatitja e mësuesve për mësimet mbi historinë e Holokaustit dhe çlirimin e të burgosurve nga Ushtria e Kuqe në kampin e përqendrimit në Aushvic më 1945.

Matveyev u pushua nga puna pas skandalit që shpërtheu në muajin janar . Ai po hetohet sipas një ligji të vitit 2014 kundër rehabilitimit të nazizmit. Ai mund të përballet me burgim deri në pesë vjet burg nëse shpallet fajtor.

Holokausti është vrasja masive e rreth 6 milionë hebrenjve, vrasje kjo e organizuar nga partia naziste e liderit gjerman, Adolf Hitler, nga viti 1933 deri më 1945. Gati 7 nga çdo 10 hebrenj që ka jetuar në Evropë është vrarë gjatë kësaj kohe.

Holokausti përkujtohet në çdo 27 janar. Me këtë datë, në vitin 1945, forcat sovjetike e çliruan kampin në Aushvic-Birkenau.

Holokausti mbetet njëra nga tragjeditë më të mëdha të kohës moderne dhe megjithëse njihet botërisht, në vete ngërthen edhe miliona tragjedi personale dhe rrëfime të patreguara.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu