“Një Lulishte me Trëndafila” ishte koncerti artistik që u ngjit në skenën magjike të Teatrit “Skampa”, duke përmbyllur aktivitetet artistike të organizuara me rastin e Ditës së Verës në Elbasan.
Nën drejtimin artistik të mjeshtrit Zeqir Sulkuqi, Orkestra e Harqeve dhe “Gent Rrushi Band”, së bashku me artistë të njohur të skenës shqiptare si Kastriot Tusha, Ardian Trebicka, Zina Zdrava, Greta Zani, Eglantina Toska, Erinda Agolli, Iris Sula, Laura Borici dhe Noel Hoxholli, sollën për publikun një buqetë me këngët më të bukura të autorëve elbasanas të viteve ’50–’60.
Mjeshtri Zeqir Sulkuqi theksoi, ndër të tjera, se “Një Lulishte me Trëndafila” ishte edhe një homazh për artistët që nuk jetojnë më në Elbasan, por që kanë lënë pas një pasuri të çmuar artistike.
Ky event ndërthuri performancat e artistëve me përvojë të gjatë në skenë me talentet e reja, të cilët aspirojnë të ndjekin gjurmët e tyre në të ardhmen.
Një koncert që risolli në kujtesë të gjithë ata artistë që i kanë dhënë kaq shumë dashuri, gëzim dhe art qytetit të njohur ndryshe si djepi i kulturës.





