“Nuk zgjodhi heshtjen, por përballjen!” Meta 2 orë në SPAK, avokati Gjokutaj: U pyet për çështjen e lobimit në SHBA

0

TIRANA- Ka përfunduar pas dy orësh marrja në pyetje e kryetarit të Partisë së Lirisë, Ilir Meta në SPAK. Avokati i tij Genc Gjokutaj foli për mediat jashtë ambienteve të Prokurorisë së Posaçme ku tha se Meta u pyet sot në seancë vetëm për çështjen e lobimit në Amerikë, ndërsa theksoi se kreu i PL-së u tregua mjaft bashkëpunues me organet e drejtësinë. Po ashtu Gjokutaj tha se Meta i kërkoi shpjegime prokurorëve në lidhje me çështjen McGonigal dhe inceneratorët.

“U drejtuan pyetje për çështjen e lobimit. Meta u tregua bashkëpunues dhe sqarues. Meta nuk zgjodhi heshtjen, por përballjen. U kërkoi prokurorëve për çështjen e Mc Gonigal, për inceneratorët.

Zoti Meta nuk diskutohet për të dhënë shpjegime në lidhje me organin e hetimit. Një nga këto seanca ishte sot dhe zoti Meta në të gjitha seancat, edhe si person në dijeni ka dhënë shpjegime të detajuara këtu. Zoti Meta përballë këtij procesi nuk ka zgjedhur heshtjen, por përballjen me aktet dhe faktet që prokurorët kanë në dispozicion.

Rekursi do të paraqitet brenda afatit ligjor, jemi duke e përfunduar. Meta i kërkoi shpjegime prokurorëve në lidhje me çështjen McGonigal dhe inceneratorët. Ai është lider i PL dhe PL ka bërë kallëzime përkatëse dhe u interesua për këto raste. Ata thanë që nuk mund t’i përgjigjeshin sepse ka sekret hetimor, por sugjeruan që përmes një kërkese mund t’i drejtohet organit të SPAK për të marrë informacion. Ne do ta paraqesim këtë kërkesë në lidhje me këto subjekte që Meta kërkoi sqarime nga prokurorët”, tha avokati.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu