Problemi më i madh gjatë stinës së verës, veçanërisht në zonat bregdetare dhe turistike, mbetet pastrimi i plehrave.
Për shkak edhe të temperaturave dhe të gatimeve me bazë peshku, pranë kazanëve të mbeturinave kundërmon erë e rëndë. Më keq akoma, plehrat në këtë stinë përbëjnë rrezik për shpërthimin e sëmundjeve dhe epidemive.
Dhe kësaj situate nuk mund t’i shpëtonte edhe fshati turistik i Qerretit.
Një pushues e ka përcjellë shqetësimin te redaksia e Infoweb Media duke sjellë foto të pirgut me plehrave në një nga pikat e këtij fshati. Duket se persona të papërgjegjshëm i kanë hedhur mbeturinat në një zonë ku nuk lejohet të hidhen mbeturina.
Ajo që bie në sy është një tabelë ku shkruhet: ‘O kafshë mos hidhni mbeturina’!
Banorëve përreth duket se u ka ardhur ‘shpirti në majë të hundës’ nga pamja dhe era e rëndë e mbeturinave.
Ndërkohë vlen të nënvizohet fakti se, pavarësisht se ku janë hedhur plehrat, ato duhet të largohen menjëherë nga ndërmarrja e pastrimit.
Një situatë e tillë haset dendur në plazhet e Shqipërisë, madje edhe në plazhet elitare. Infoweb Media