Kreu i qeverisë Edi Rama ka reaguar për herë të parë pas mbylljes së paprecedentë të fluturimeve në aeroportin e Rinasit, si pasojë e pezullimit të punës nga kontrollorët e AlbControll.
Rama akuzon kontrollorët për sabotim dhe thotë se organizatorët e grevës do kallzohen penalisht. Rama thotë se frymëzuesit e kësaj situate janë Sali Berisha dhe Ilir Meta, që sipas tij kërkojnë mbylljen e aeroportit me qëllim të mos sillen vaksinat në Shqipëri.
Postimi i plotë i Ramës:
Sabotimi i rëndë i aktivitetit të Aeroportit “Nënë Tereza” nuk do të tolerohet! Frymëzuesit e kësaj lëvizjeje të çartur çartiste, Saliu që gjuan me gurë digjitalë dhe Iliri, që hedh gurin e markës “Leshko” dhe fsheh dorën, duan mbylljen e aeroportit për të mos ardhur vaksinat!
Organizatorët do të kallzohen penalisht dhe do të përballen me ligjin,që ndalon rreptësisht ndërprerjen e aktivitetit të kullës nga ana e kontrollorëve!Të tjerët duhet të vendosin menjëherë: O me shtetin në punë o me antishtetin në një proces penal për cënim të sigurisë kombëtare!
Reagimi i Ramës vjen pas deklaratave të Ballukut nga Rinasi, e cila tha se kjo që po ndodh është një grusht shteti, ndërsa si gjithmonë bëri fajtor ish-kryeministrin Sali Berisha që sipas saj nxit segmente të caktuara të kontrollorëve.