Operacioni për lirimin e hapësirave publike, në 24 orë goditen 133 raste, 10 të arrestuar

0

Policia ka zhvilluar një operacion mbarëkombëtar, me qëllim lirimin e hapësirave publike.

Gjatë 24 orëve të fundit, në të gjithë vendin u konstatuan dhe u goditën 133 raste të shfrytëzimit të kundërligjshëm të hapësirave publike-private, për aktivitete ekonomike, kryesisht vendparkime ose lavazhe për automjete të paregjistruara në organet tatimore.

Në operacionin për lirimin e hapësirave publike janë përfshirë strukturat për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare të Drejtorive Vendore të Policisë, Patrullat e Përgjithshme dhe Forcat “Shqiponja”, në bashkëpunim me Policitë Bashkiake përkatëse.

Më konkretisht u goditën; 78 raste në Tiranë me 10 të arrestuar dhe 68 të proceduar; 16 raste në Shkodër me 16 shtetas të proceduar; 11 raste në Lezhë me 11 të proceduar; 6 raste në Korçë me 6 të proceduar; 6 raste në Fier e Lushnjë me 6 të proceduar; 4 raste në Vlorë e Sarandë me 4 të proceduar; 4 raste në Dibër me 4 të proceduar; 3 raste në Elbasan me 3 të proceduar; 2 raste në Berat me 2 të proceduar; 2 raste në Durrës me 2 të proceduar dhe 1 rast në Gjirokastër me 1 të proceduar.

Gjithashtu, u evidentuan 45 raste të parkimeve të gabuara që pengonin qarkullimin e lirë të mjeteve apo qytetarëve, nga të cilat: 37 në Tiranë, 3 në Elbasan, 2 në Fier, 2 në Kukës, 1 në Durrës.

Po ashtu, janë konstatuar 3 raste të punësimit të paligjshëm.

Aksioni kundër pushtimit të hapësirave publike dhe informalitetit do të vijojë intensivisht në të gjitha qarqet e vendit.

Materialet procedurale i kaluan prokurorive të rretheve gjyqësore për veprime të mëtejshme.