Opinion dhe analizë nga pedagogia Eliona Gremi, përse të rinjtë po e braktisin Shqipërinë?!

0

Ashtu siç të gjithë e dimë rinia është frymëmarrja e një kombi, shpresa për të ecur përpara. Por kur shikon që ëndrra e tyre vritet dita ditës, fillon e kupton dhe e justifikon disi revoltën e tyre për ta braktisur vendlindjen e tyre pa hezitim. Të rinjtë përbëjnë rreth 1/3 e popullsisë dhe është pjesa më vitale në një shoqëri, por jo gjithmonë ajo merr vëmendjen e duhur në tregun e punës dhe në politikat e qeverisjes lokale apo qendrore.

E si mund ti ndodhte ndryshe ku papunësia ka arritur nivelet më të larta, ku shpresa që situata mund të përmirësohet është venitur. Sipas një studimi mbi të rinjtë gjatë vitit 2019-2020 (Raporti Kombëtar “Rinia në Shqipëri 2020”, CRCA/ECPAT Shqipëri, 2020), në dhjetë vitet e fundit nga Shqipëria janë larguar mesatarisht 140,390 të rinj dhe të reja. Shqipëria vazhdon të ketë një numër tepër të lartë të të rinjve që largohen jashtë për një jetë më të mirë.

Ikja në masë e shqiptarëve e sidomos e të rinjve do të detyrojë Shqipërinë që në 70 vitet e ardhshme të shpopullohet tërësisht. Emigrimi i të rinjve për shkollim jashtë, një ndër fenomenet më shqetësuese, pasi e rendit Shqipërinë në vendin e parë në Europë me rreth 30% të studentëve që synojnë të studiojnë jashtë vendit, është padiskutim një ndër gjërat që kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme.

Sipas Zyrës Europiane e Mbështetjes së Azilantëve – EASO, ka rezultuar që rreth 80% e azilkërkuesve shqiptarë drejt vendeve të Bashkimit Europian i përkasin moshave të të rinjve nga të mitur deri në 34 vjeç. Çdo ditë e më tepër në punën time të përditshme me studentët shikoj qartë dëshpërimin në sytë e tyre, pa një të ardhme të sigurtë.

Lind pyetja : – Cilët janë disa nga faktorët që i shtyjnë këta të rinj të braktisin Shqipërinë? Ndër më të spikaturit do të përmendja – Papunësia- Të rinjtë e diplomuar janë ata që vuajnë nivelet më të larta të papunësisë. Sipas të dhënave të INSTAT, duke analizuar shkallën e papunësisë gjatë vitit 2020, rreth 20.7% e të rinjve të moshës 15-29 vjeç vuajnë sot papunësinë. – Pasiguria për të ardhmen. Situata jo stabile politike, problemet e mëdha ekonomike, keqmenaxhimi i situata emergjente( Tërmeti dhe pandemia) , krijon gjithnjë e më tepër pasiguri tek ato. – Mungesa e praktikave profesionale në universitete –

Një ndër arsyet që studentët shqiptarë ndjehen të pasigurtë janë dhe mungesa në kurrikulat e universiteteve të praktikave të mirëfillta profesionale. – Mungesa e një strategjie dhe programeve nxitëse që të mundësojnë punësimin e tyre në profilet ku ato studiojnë. Kjo situatë duhet të marrë fund. Të rinjve duhet ti kthehet shpresa e munguar me hapa e strategji konkrete. Çdo i ri apo e re mund dhe duhet të japë kontributin që Shqipëria jonë e “vjedhur” të bëhet ashtu siç na e dëshiruan dhe na e lanë amanet edhe të parët tanë.

Copyright @ Eliona GREMI ( Lektore në fushën e Financës)

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu