Mediat turke pasqyruan demonstratën palestineze pas lutjeve të së Premtes në Xhaminë Al-Aqsa në qytetin e vjetër të Jeruzalemit.
Protestuesit e mbledhur në shesh brohorisnin nën thirrjet “Erdogan-Erdogan” dhe “Në emër të Zotit, Turqi”, duke i bërë apel presidentit turk për të ndihmuar Hamasin ushtarakisht në konfliktin me ushtrinë izraelite.
Sipas një deklarate me shkrim nga Administrata e Institucioneve Islame në Jeruzalem, “më shumë se 20,000 Palestinezë morën pjesë në lutjet e së Premtes” dhe shumë prej tyre morën pjesë në demonstratën që pasoi pas saj.
Konflikti izraelito palestinez është përshkallëzuar ditët e fundit, ku pas sulmit me raketa të bërë nga militantët e Hamasit, ku humbën jetën 8 izraelitë, Izraeli u kundërpërgjigj dhunshëm duke sulmuar Rripin e Gazës nga toka ajri dhe deti, duke shkaktuar 120 viktima, mes të cilëve 31 fëmijë.