Kryenegociatori i Rusisë në bisedimet me Ukrainën thotë se palët po diskutojnë një kompromis të mundshëm, sipas të cilit Ukraina në të ardhmen do të ketë një ushtri më të vogël dhe të paangazhuar.
“Një gamë e gjërë çështjesh që lidhen me madhësinë e ushtrisë së Ukrainës po diskutohen,” tha të mërkurën negociatori rus Vladimir Medinsky, sipas agjencive ruse të lajmeve. “Ukraina po propozon një opsion austriak ose suedez të një shteti neutral, por një shtet që ka ushtrinë dhe marinën e vet”.
Nuk kishte asnjë koment të menjëhershëm nga zyrtarët ukrainas. Nuk është e qartë se si do të funksiononte një opsion i tillë nëse ushtria e ardhshme ukrainase mbetet armiqësore ndaj Rusisë.
Medinsky tha se çështjet po diskutohen në ministritë e mbrojtjes ruse dhe ukrainase.
Ai vuri në dukje se një çështje kyçe është statusi i Krimesë, i aneksuar nga Rusia, dhe rajoni i Donbasit të kontrolluar nga separatistët në Ukrainën lindore, të cilin Rusia e njeh si të pavarur.
Ukraina i konsideron të dyja pjesë të territorit të saj, ndërsa Rusia shpalli para luftës pavarësinë e tyre.
Një raund i ri i bisedimeve Ukrainë-Rusi për luftën pritet më vonë gjatë ditës së sotme.