Presidenti francez, Emmanuel Macron, do të vazhdojë me planet e tij për reformën në pensione, pavarësisht protestave masive që kanë zgjatur me javë të tëra në Francë.
“Njerëzit thellë-thellë e dinë se duhet të punojmë pak më gjatë, përndryshe nuk do të jemi në gjendje t’i financojmë pensionet tona siç duhet”, tha ai të martën në Paris.
Plani i Macronit për të rritur moshën e pensionimit nga 62 në 64 vjeç është reforma e tij më e madhe gjatë mandatit të dytë presidencial.
Për javë të tëra, Macron nuk ishte deklaruar publikisht për këtë çështje, e cila nxiti protesta masive në Francë. Sondazhet e opinionit tregojnë se shumica e francezëve janë kundër planit.
“Reformat nuk kanë alternativë”, shtoi ai, sepse “publiku as nuk dëshiron të paguajë kontribute më të larta dhe as të pranojë ulje të pensioneve”.
Franca ka moshën më të ulët të kualifikimit për pension shtetëror në mesin e ekonomive më të mëdha evropiane.
Pensioni mesatar është 1.400 euro në muaj, pasi të zbriten taksat.
Qeveria ka thënë se ndryshimet janë të nevojshme për të garantuar të ardhmen e financimit të sistemit pensional, që pritet të kalojë në deficit në vitet e ardhshme – për shkak të plakjes së popullsisë.
Tetë sindikatat kryesore të punëtorëve të Francës janë duke i bërë thirrje Qeverisë që të heqë dorë nga masa e moshës.
Është hera e parë që nga viti 2010 që të gjitha sindikatat i bashkojnë forcat kundër një reforme të planifikuar.
Kundërshtarët thonë se ka mënyra të tjera për të siguruar financimin e pensioneve – për shembull nëpërmjet një takse për të pasurit ose rritjes së kontributeve në listën e pagave, që paguhen nga punëdhënësit.
Qeveria synon ta miratojë legjislacionin e ri deri në verë, në mënyrë që ndryshimet të hyjnë në fuqi në shtator. REL