Në Çerrik, pensionistët po përballen çdo ditë me vështirësi të mëdha ekonomike, teksa rritja e çmimeve në treg po e bën jetesën gjithnjë e më të rëndë. Me pensione që shpesh nuk kalojnë 100 mijë lekë në muaj, shumë prej tyre thonë se nuk arrijnë të mbulojnë as nevojat më bazike.
“Sa mora ilaçet, 33 mijë lekë, tani ngelëm pa bukë, se aq pension është 100 mijë unë, 100 gruaja. A ja dalim dot me këtë pension? Vallahi me zor, me të shtyme. Edhe për ktë rritjen që thonë, ai tallet me ne, me sinqeritet ta them, tallet. Çfarë është ajo 2.1 për qind?”, shprehet një zotëri.
Një tjetër qytetar shprehet se sipas të ardhurave në Çerrik, çmimet vetëm ngrihen.
“Unë nuk marr pension fare, më përpara kam qenë në KEMP, por para tre vitesh ma hoqën dhe nuk ma dhanë më. Jetoj vetëm me pensionin e gruas.”
Në dyqane çdo blerje është bërë një llogaritje mes nevojës dhe mundësisë, ndërsa për shumë të moshuar, rritja e çmimeve është shndërruar në barrë të papërballueshme.
“Unë nuk i përballoj dot. Marr 112 mijë lekë. Leje ilaçet, por laj dritat dhe ujin. Për ilaçe punoj ndonjëherë me një bisht lopate, kur ka ndonjë që na merr në punë një a dy ditë. Ndërkohë që pensioni është i vogël, çmimet janë shumë të larta. Çfarë blejmë kryesisht? Marrim domate, patate, qepë… të tjera jo. Mishin ne e shohim në ëndërr, jo ta hamë, se nuk kemi lekë, nuk e arrijmë dot”, tha pensionisti.
Ndërsa çmimet në treg vijojnë të rriten dhe rritja e pensioneve mbetet minimale, për pensionistët çdo muaj është një sfidë e re.
Rreth 5500 pensionistë jetojnë në Cërrik, të cilët kërkojnë më shumë mbështetje nga shteti dhe politika reale sociale që të lehtësojnë barrën e jetesës.





