Për herë të parë, gratë dhe burrat në këtë shtet mund të luajnë në të njejtën skuadër futbolli

0

Duke filluar prej sezonit të ardhshëm, femrat nuk kanë asnjë pengesë rregulloreje, apo ligjore që të aktivizohen në futboll me ekipet e meshkujve.

Ky është njoftimi i dhënë nga federata holandeze e futbollit, që miraton barazinë e plotë mes meshkujve dhe femrave edhe në këtë sport, të konsideruar “burrëror” në pjesën tjetër të botës.

Ky nuk është hapi i parë. Prej vitit 1986 ai që njihej si futbolli i miksuar me skuadra të përziera meshkuj dhe femra aplikohet në këtë vend, fillimisht deri në moshën 12 vjeçare.

Në vitin 1995 mosha u zgjerua edhe më tej duke shkuar deri në 19 vjeç. Por, ky është një hap historik, sepse për herë të parë meshkujt dhe femrat mund të luajnë bashkë futboll në kategorinë superiore amatore, pa kufizim moshash.

Deri më tani, sapo mbushnin 19 vjeç, femrave futbolliste u kërkohej që të zgjidhnin nëse do të luanin me femrat në ligën superiore amatore, apo do të vazhdonin të qëndronin në ligën e përzier më të ulët.

Sipas ekspertëve ky është një hap i madh përpara, edhe pse është ende larg barazisë së plotë gjinore në futboll për të parë një ditë që femra e meshkuj të luajnë bashkë për Ajaksin, Fejnordin, apo PSV.

Gjithsesi, kjo dëshirë e shumë sportdashësve holandezë nuk varet vetëm prej tyre, por edhe nga FIFA dhe UEFA.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu