Përgjigja e Komisionit të Venecias për zgjedhjet e 30 qershorit, reagon Jordan Daci: Nuk egziston! Mua s’më ka ardhur gjë

0

Për të gjithë miqtë dhe publikun e gjerë!

Prej ditës së djeshme qarkullon në media një projektvendim i Komisionit të Venecias mbi pyetjet e drejtuara nga Gjykata Kushtetuese për zgjedhjet 30 qershorit 2019 dhe lidhur me këtë çështje, në cilësinë e përfaqësuesit ligjor të Shoqatës së Bashkive të Shqipërisë dhe hartues i kërkesës, dua t’ju sqaroj si vijon:

  1. Anëtarëve të Komisionit të Venecias dhe as anëtarëve zëvendësues nuk u është shpërndarë asnjë projektmendim dhe këtë e kam të konfirmuar përtej çdo dyshimi. Varianti që qarkullon ka dalë vetëm nga Qeveria e RSH sepse unë si përfaqësues dhe hartues i kërkesës nuk kam marrë asnjë projekt. Po ashtu, nga informacionet e sigurta këtë projekt nuk e ka marr asnjë tjetër nga pjesëmarrësit në proces. Ndërkohë, për kuriozitet, përfaqësuesja e Qeverisë në Gjykatën Kushtetuese për këtë çështje na rezulton dhe anëtare zëvendësuese në Komisionin e Venecias dhe besoj që emërimi i saj nga Qeveria është bërë për kontribute të çmuara në fushën e doktrinës të së Drejtës Kushtetuese. Kush ka kuriozitet të provoj në google scholar nëse thotë ndonjë gjë.
  2. Projektmendimi titullohet “DRAFT AMICUS CURIAE BRIEF ON THE COMPETENCE OF THE CONSTITUTIONAL COURT REGARDING THE VALIDITY OF THE LOCAL ELECTIONS HELD ON 30 JUNE 2019” në shqip “Projekmendim i Mikut të Gjykatës mbi kompetencën e Gjykatës Kushtetuese mbi vlefshmërinë e Zgjedhjeve Vendore të mbajtura, më 30 qershor 2019”. Ky titull nuk ka asnjë lidhje me kërkesën e Gjykatës Kushtetuese (Ne fakt duket sikurse i jep përgjigje edhe vetë përmbajtjes së tij) e cila i ka drejtuar tre pyetjet si vijon:
  3. A mund të interpretohet neni 131, pika 1, shkronja “e”, i Kushtetutës se Gjykata Kushtetuese ka juridiksion për të vlerësuar kushtetutshmërinë e procesit zgjedhor?
  4. Duke qenë se parimi i periodicitetit të zhvillimit të zgjedhjeve vendore dhe ai i pluralizmit politik janë parashikuar si parime themelore kushtetuese, cili do të ishte raporti mes tyre në një situatë ku rrezikohet cenimi i secilit parim? Cili parim do të prevalonte mbi tjetrin?
  5. Në një situatë të një klime pasigurie juridike, a ka cenuar sjella e autoriteteve publike dhe e partive politike të drejtën e votuesve për të pasur mundësi kuptimplotë zgjedhjeje? A duhej ata të siguronin interesin më të lartë të votuesve?”

Pyetjes së pari Projektmendimi i është përgjigjur në mënyrë krejt kontradiktore duke u shprehur ‘inter alia’ si vijon:

“26. Edhe nëse nuk Gjykatës Kushtetuese nuk ka kompetencë mbi zgjedhjet vendore, asnjë rregull nuk duhet të përjashtohet plotësisht nga kontrolli i kushtetutshmërisë. Neni 124 i Kushtetutës, i cili e shndërron Gjykatën Kushtetuese në interpretuesin përfundimtar të Kushtetutës dhe me autoritet detyrues, mund të interpretohet si i zbatueshëm për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve mbi kushtetutshmërinë e të gjithë legjislacionit, përfshirë edhe në fushën zgjedhore. Komisioni i Venecias në mendimet e mëparshme (në lidhje me Gjeorgjinë) ka mbajtur qëndrimin që legjislacioni zgjedhor nuk mund të përjashtohet në tërësinë e tij nga kontrolli i kushtetutshmërisë edhe pse mund të justifikohet nga Gjykata Kushtetuese për të vlerësuar kushtetutshmërinë e legjislacionit zgjedhor gjatë periudhës para elektorale – për të ruajtur qëndrueshmërinë e legjislacionit zgjedhor. Në këtë drejtim, duhet të mbahet parasysh se zgjedhjet “e lira, të barabarta, të përgjithshme dhe periodike” janë kërkesa kushtetuese për qeverisjen sipas nenit 1 (3) të Kushtetutës.

  1. Si përfundim, Komisioni i Venecias është i mendimit se këshilltarët dhe kryetarët e bashkive janë “funksionarë të organeve të parashikuara në Kushtetutë” në kuptimin e nenit 131 (1) e) të Kushtetutës. Megjithatë, kompetenca e Gjykatës Kushtetuese nuk përfshin shqyrtimin e vlefshmërisë së zgjedhjeve vendore. Kjo nuk e pengon Gjykatën Kushtetuese të ushtrojë kontrollin e saj mbi legjislacionin zgjedhor.”

Paragrafi 27 është krejt i pabazë dhe nuk merr parasysh jo vetëm përmbajtjen e Kushtetutës së RSH, por injoron edhe praktikën e Gjykatës Kushtetuese Franceze (Këshillit Kushtetues Francez), as praktikën e Gjykatës Supreme të SHBA-ve që ka edhe juridiksion kushtetues në rastin Bush v. Gore, 2000 dhe shumë gjykatave të tjera kushtetuese të botës demokratike.

Ky përfundim do të pësojë e sigurt ndryshime ditën e nesërme ashtu sikurse edhe i gjithë projektmendimi. Prandaj duhet pritur…

Të pranosh çfarë thuhet në këtë paragraf do të thotë të ndryshosh teorinë botërore të së Drejtës Kushtetuese dhe s’ka asnjë në botë dhe as anëtarët e Komisionit të Venecias që mund ta thonë dhe aq më pak të bindin edhe një juristë me njohuri modeste mbi të Drejtën Kushtetuese. Kjo për faktin e thjeshtë, që neni 131 i Kushtetutës nuk lexohet i shkëputur, pasi çështja e zgjedhjeve lidhet së pari me respektimin e neneve, 3, 4, 5, 7, 9, 17, 18, 45, 116, 122 etj, të Kushtetutës. Ndërkohë që respektimi i këtyre neneve dhe shumë neneve të tjera është detyrë ekskluzive e Gjykatës Kushtetuese. Venecia duhet të shpjegojë përse Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut ka shqyrtuar në disa çështje zgjedhjet? A është e drejta e zgjedhjes, një e drejtë Kushtetuese dhe e garantuar nga Konventa nëpërmjet protokolleve shtesë të saj? Nëse po, që është e sigurt si përgjigje, kush është autoriteti i fundit që vlerëson në nivel kombëtar pretendimet mbi këtë çështje? Nëse është Gjykata Kushtetuese, si mundet ajo të mos jetë autoriteti për vlerësimin e kushtetutshmërisë së zgjedhjeve? E fundit nëse nuk është Gjykata Kushtetuese, kush është në Shqipëri dhe kush është në vendet e këtyre personave që kanë dhënë komentet?

  1. Në kërkesën drejtuar Gjykatës Kushtetuese kërkimi numër dy është “2. Verifikimin e Kushtetutshmërisë së veprimtarisë së Partisë Bindja Demokratike në lidhje me regjistrimin e saj në Gjykatë dhe zgjedhjet e datës 30 qershor 2019 në përputhje me germën d) të nenit 131 të Kushtetutës së RSH”. Ky kërkim është vërtetuar tashmë me dhe pa Venecian, që duhet të pranohet, e nëse pranohet ky kërkim, përgjigja për të gjithë është fare e qartë, 30 qershori bie dhe bie me gjithçka tjetër.

Asnjë përpjekje e askujt nuk i ligjëron dot zgjedhjet e 30 qershorit 2019. Kjo çështje me Venecian, pa Venecian, me Gjykatën Kushtetuese, pa Gjykatën Kushtetuese, është çështje që brenda pak kohe do marr përgjigjen e drejtë. Kini durim, Gjykata Kushtetuese do të zgjidh këtë çështje në favor të interesave të Shqipërisë.

Ne ju premtojme ne vijim nje super pergjigje para Gjykates Kushtetuese, e cila eshte i vetmi organ qe ushtron Sovranitetin e Shqiperise persa i perket cdo ceshtje Kushtetuese.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu