Përleshje gjatë natës në një lokal në qendër të Elbasanit, plagosen disa të rinj.
Një përleshje me sende të forta ka ndodhur gjatë natës në një lokal të njohur përgjatë bulevardit “Aqif Pasha” të qytetit të Elbasanit. Disa të rinj janë përfshirë në këtë konflikt duke përdorur shishe, karrike, mjete rrethanore etj.
Si pasojë e kësaj përplasje disa prej tyre kanë mbetur të plagosur.
Në vendngjarje kanë mbërritur menjëherë forca të shumta policie të cilat kanë parandaluar përshkallëzimin e konfliktit ndërkohë që disa nga të rinjtë janë shoqëruar për në komisariat.
Ende nuk dihen shkaqet e këtij konflikti.
Sherri ka ndodhur në një lokal në të cilin në fillim të muajit gusht shpërtheu një sasi tritoli.
Komunikata e Policisë Elbasan:
Nën efektin e pijeve alkoolike, prishën qetësinë publike si dhe dëmtuan ambientin e lokalit , vihen në pranga dy shtetas dhe shpallen në kërkim policor dy shtetas të tjerë.
Shërbimet e Policisë Elbasan, pas marrjes së njoftimit për një konflikt mes klientëve dhe personelit të shërbimit të lokalit, menjëherë kanë shkuar në vendngjarje për parandalimin e përshkallëzimit të mëtejshëm të konfliktit.
Nga tërësia e veprimeve hetimore rezultoi se shtetasit Xh.T., A.M., dhe L.Q., nën efektin e pjeve alkoolike, për motive të dobëta janë konfliktuar me personelin e shërbimit të këtij lokali si dhe kanë dëmtuar tavolinat dhe banakun e lokalit, ku për pasojë është dëmtuar lehtë gjatë thyerjes së sendeve dhe orendive njëri prej klientëve që nisi konfliktin , shtetasi A.M.
Gjatë kontrollit fizik të ushtruar nga shërbimet e Policisë shtetasit A.M. ju gjet një dozë lëndë narkotike dhe në banesën e shtetasit J.Ç. të cilën e kishte me qira janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale dhe 16 doza lëndë narkotike si edhe një shkop druri me disa vida druri metalike i përshatur si armë e ftohët.
Në përfundim të veprimeve hetimore nga specialistët për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme në DVP Elbasan, arrestuan në flagrancë shtetasit:
•Xh.T., 24 vjeç, banues në Elbasan, për veprat penale ” Shkatërim i pronës private”, dhe “Prishja e qetësisë publike “.
•A.M., 24 vjeç, banues në Elbasan, për veprat penale, “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike”, “Shkatërrim i pronës private” dhe “Prishja e qetësisë publike”.
U shpallën në kërkim policor dhe po punohet për kapjen e shtetasve: J.Ç., 24 vjeç, banues në fshatin Xhyrë, Librazhd, dhe L.Q., 43 vjeç, banues në Elbasan, të cilët në momentin që kanë parë shërbimet e Policisë kanë mundur të largohen.
Materialet hetimore i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës Parë Elbasan, për veprime të mëtejshme procedurale.
Infoelbasani.com