Reshjet e shiut të rëna gjatë natës kanë krijuar probleme në qytetin e Lezhës. Sistemi i kanalizimeve nëntokësore nuk e ka përballuar nivelin e lartë të prurjeve, duke bërë që uji të dalë në sipërfaqe dhe të përmbytë disa zona urbane.
Më problematike kanë qenë blloqet e banimit “11 Janari” dhe zona “11.2 hektarë” në lagjen Besëlidhja, ku prania e ujit në rrugë ka vështirësuar ndjeshëm lëvizjen e qytetarëve dhe automjeteve.
Protesta e PD-së/ Deputetja Zegjine Caushi nxjerr VIDEON: U kalua çdo kufi, një fëmijë duke…
Ndërkohë, për shkak të nivelit të lartë të ujit, Policia Bashkiake ka bllokuar qarkullimin në disa akse rrugore, duke orientuar mjetet drejt rrugëve alternative, me qëllim garantimin e sigurisë. Në ngadalësimin e evakuimit të ujërave ka ndikuar edhe punimet që po realizohen në sistemin e kanalizimeve të ujërave të bardha dhe të zeza, projekt i nisur prej disa muajsh, i cili synon zgjidhjen përfundimtare të problematikës së përmbytjeve në qytetin e Lezhës.
Nga moti i keq në Lezhë janë krijuar edhe probleme me furnizimin me energji elektrike, si në qytet ashtu edhe në fshatra. Ndërsa grupet e punës të Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike ndodhen në terren për riparimin e defekteve dhe rikthimin e energjisë në zonat ku mungon.





